Bukuresht, 29 maj, Zhurnal.mk – Një dron ka goditur një pallat banimi në qytetin Galați, Rumani, vend anëtar i NATO-s duke shkaktuar zjarr.
Dy persona u plagosën lehtë, sipas RBC-Ukrainë, duke cituar Faytuks Network dhe faqen zyrtare në facebook të Shërbimit Rumun të Reagimit ndaj Emergjencave.
Mendohet se droni ishte rus, pasi Federata Ruse po kryente një sulm masiv me dronë në rajonin e Odessas, dhe Galați ndodhet afër. “Sipas raporteve fillestare, një dron rus u rrëzua në një ndërtesë apartamentesh në qytetin e Galațit, Rumani. Përplasja ndodhi menjëherë pasi autoritetet lëshuan një paralajmërim për “mundësinë e rënies së objekteve nga hapësira ajrore përreth’”, shkroi Faytuks Network.
Ministria rumune e Mbrojtjes konfirmoi sot se: “gjatë natës së 28-29 majit, Federata Ruse rifilloi sulmet me dronë ndaj objektivave civile dhe të infrastrukturës në Ukrainë, pranë kufirit lumor me Rumaninë”.
Rumania e konsideroi ndërhyrjen, së bashku me shkeljen e hapësirës së saj ajrore, “një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm”, siç u raportua nga disa media, përfshirë agjencinë ukrainase të lajmeve RBC, AFP dhe CBS. Bukureshti e ka informuar tashmë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.
Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen reagoi në rrjetin ‘X’ duke u shprehur se “lufta e agresionit e Rusisë ka kaluar një tjetër vijë. Një sulm me dron rus ka goditur një zonë të banuar në Rumani, duke plagosur civilë. Në tokën e BE-së. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Rumaninë dhe popullin e saj”.
Ajo shtoi se “ndërsa vazhdojmë të forcojmë sigurinë dhe kapacitetin tonë parandalues, veçanërisht në kufirin tonë lindor, ne do të vijojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë. Po përgatisim paketë të 21-të sanksionesh”.
