Njëri i akuzuar dënohet me 1 vit burgim, tjetri me 9 muaj për barrikadat në veri më 2022

Nga D V
511 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, të akuzuar lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit. Radosavljeviq u dënua me 9 muaj burgim, kurse Dobrac me 1 vit burgim, raporton Ekonomia Online.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri.

Për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”, i akuzuari Radosavljeviq u shpall fajtor dhe u dënua me 9 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Dobrac u shpall fajtor për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Për veprën e parë, u dënua me 6 muaj burgim, kurse për të dytën u dënua me 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shqiptoi dënim unik me 12 muaj burgim.

Dënimi ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kërkesë pasurore-juridike, gjykatësi tha se nuk ka. Ndërkaq, u urdhëruan të akuzuarit që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës dhe atë nga 200 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër