Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se, “projektbuxheti 2025 është shtuar për hajdutët dhe ky do të jetë buxheti i fundit që mazhoranca do të ketë mundësinë të miratojë, pasi në zgjedhjet e 2025, populli do të dijë kujt t’ia japë votën”.
Duke marrë fjalën, pas prezantimit të pr/buxhetit për vitin 2025 nga Kryeministri Edi Rama, Noka tha se, “kryeministri u tall me pensionistët”.
“ISSH që ju administroni dhe qeverisni, deklaron se 26% janë rritur pagat nga viti 2024 e deri tani. 34% është rritur inflacioni, 8% kanë të ardhura më pak pensionistët seç kanë patur në 2013”, tha ai.
“Gënjeu se 50 mijë lekë qe në kohën e Sali Berishës bonusi për pensionistët dhe rrogë të 13-të. Ku e ka shpërblimin e vitit të ri dhe rrogën e 13-të të administratës”, theksoi Noka.
Ai u ndal dhe tek buxheti për bonusin e bebeve.
“Për çfarë buxheti flet kryeministri kur 60% e bebeve lindin jashtë vendit dhe ju çoheni të duartrokisni, duke na kujtuar atë kohë të largqoftit. Foli edhe për buxhetin e shëndetësisë, po cilës shëndetësi të Vilmës, se buxheti i shëndetësisë i çon paratë tek Vilma që i nxjerr burrat shtatzëne dhe gratë me prostatë”, tha ai.
“Tha i keni lënë rrugët rrugëve, kur që nga 2014 ka ndërtuar vetëm 20 km autostradë ka inauguruar, edhe atë me çmime 10-fish më të larta. Ka vetëm rrugën e largimit vitin tjetër, sepse ky është buxheti i fundit që do të keni mundësi të miratoni”, deklaroi Noka.