Tetovë, 26 maj Zhurnal.mk – Ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” kanë intensifikuar aktivitetet e përditshme me qëllim që qyteti të jetë sa më i përgatitur për Festën e Kurban Bajramit, duke garantuar pastërti në hapësirat publike dhe objektet fetare.
Gjatë orëve të natës janë realizuar larje dhe pastrim të hapësirave përreth xhamive, në prag të kësaj feste të rëndësishme fetare, në mënyrë që qytetarët dhe besimtarët t’i gjejnë ambientet sa më të rregulluara.
Me iniciativë të drejtorit të NPK “Tetova”, është ndërmarrë gjithashtu aksion për pastrimin e Varrezave të Dëshmorëve në vigjilje të Kurban Bajramit. Ky kompleks memorial, i cili zakonisht mirëmbahet çdo të premte, është pastruar më herët këtë herë për shkak të festës, në mënyrë që gjatë ditës së Bajramit të jetë i gatshëm për pritjen e qytetarëve që do të bëjnë lutje dhe homazhe.
Drejtori i NPK “Tetova”, Samet Bislimi, theksoi se pastrimi i këtyre hapësirave bëhet çdo vit në shenjë respekti për festën dhe qytetarët.
“Jemi munduar që për çdo Bajram t’i pastrojmë Varrezat e Dëshmorëve në shenjë respekti. Edhe pse e kemi planifikimin çdo të premte, për shkak të Festës së Kurban Bajramit kemi vendosur t’i pastrojmë më herët, duke bërë edhe disa përgatitje të tjera, përfshirë larjen e hapësirave para xhamive dhe trotuareve”, u shpreh Bislimi.
Përveç pastrimit, NPK “Tetova” ka vazhduar edhe me aktivitete për gjelbërimin e hapësirave publike, përmes mbjelljes së drunjve. Një aksion i tillë është realizuar edhe pranë Xhamisë së Sahatit në Tetovë.
Nga ndërmarrja theksojnë se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim ruajtjen e pastërtisë dhe përmirësimin e hapësirave publike në qytet.
