Nuredini: BDI mos te manipuloj me tabelat në Demir Hisar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Vendosja e tabelave rrugore në Demir Hisar vetëm në maqedonisht është përdorur nga dega e BDI-së në Kërçovë dhe disa portale për të pretenduar se nuk po respektohet ligji.

Por drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Nuredin Fetai, thotë se ligji është i qartë dhe apelon që të mos manipulohet e të mos shërbehet me mashtrime dhe gënjeshtra.

BDI-Kërçovë në reagimin e saj ka kritikuar koalicionin VLEN dhe drejtuesit shqiptarë në institucionet publike, duke pretenduar se në fotografitë e publikuara më 10 nëntor 2026 nga kjo ndërmarrje për sinjalistikën e re në rrugën rajonale R1305, në relacionin Demir Hisar–Slladuevë, mbishkrimet janë vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa shqipja mungon plotësisht.

Nga ana tjetër, në një prononcim për agjencinë e lajmeve INA, drejtori Nuredin Fetai i ka hedhur poshtë këto akuza, duke sqaruar se segmenti rrugor gjendet në territorin e Komunës së Demir Hisarit, ku sipas kornizës ligjore në fuqi nuk plotësohen kushtet demografike për vendosjen e tabelave dygjuhësore.

“Kjo është manipulim i pastër dhe keqpërdorim duke u marrë me lajme të rrejshme, sepse edhe ashtu kanë funksionuar e funksionojnë me mashtrime e manipulime”, ka deklaruar Fetai për INA.

Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, vendosja e tabelave rrugore dhe mbishkrimeve në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase është e detyrueshme në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku bashkësia shqiptare përbën të paktën 20 për qind të popullsisë, si dhe në rrugët magjistrale dhe korridoret kryesore shtetërore, kusht ky që nuk plotësohet në territorin e Komunës së Demir Hisarit.(INA)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër