Shkup, 28 mars – Objektet sportive shtetërore në disa qytete të vendit janë vënë nën hetim nga institucionet, ndërsa për rastin e pishinës së qytetit në Delçevë ende nuk është ndërmarrë veprim, për shkak të mungesës së raportit të revizionit.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se për pishinën në Delçevë nuk është vepruar pasi raporti i Entit Shtetëror të Revizionit ende nuk është dorëzuar në SPB Delçevë. Ndërkohë, hetime janë duke u zhvilluar për disa raste të tjera: dy në Prilep (një sallë sportive dhe objektet e pishinës së qytetit), si dhe nga një rast në Kriva Pallankë (sallë sportive në ndërtim), Tetovë (objekte në kuadër të qendrës sportive) dhe Manastir (sallë sportive).
Për të gjitha këto raste, MPB ka njoftuar prokuroritë kompetente.
Nga ana tjetër, Prokuroria Publike konfirmon se raporti i revizionit është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Shkup, e cila tashmë po ndërmerr veprime për verifikimin e gjetjeve. Nëse konstatohen elemente të veprës penale që bien në kompetencë të një prokurorie tjetër, rasti do të përcillet më tej.
Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish serioze: mungesë të të dhënave të sakta për pronat shtetërore sportive, dhënie me qira afatgjatë (20-30 vjet) me çmime të ulëta, si dhe raste kur qiramarrësit nuk i lirojnë objektet edhe pas ndërprerjes së kontratave, duke i shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme. Madje, në disa raste është konstatuar edhe tjetërsim i pronës publike përmes procedurave përmbarimore.
Një nga rastet më problematike është ai i pishinës së qytetit në Delçevë, për të cilën është realizuar shitje përmes përmbarimit për shlyerje borxhesh – veprim që, sipas revizionit, bie ndesh me ligjin, pasi pronat publike që janë të nevojshme për funksionimin e institucioneve nuk mund të jenë objekt përmbarimi.
Nga institucionet përgjegjëse ka sinjale se do të ndërmerren masa ligjore për të shqyrtuar këtë rast, ndërsa nga Qeveria theksojnë se tjetërsimi i objekteve sportive përbën vepër penale sipas ligjit për sport.
Raporti gjithashtu evidenton raste të tjera shqetësuese, si pagesa prej mbi 78 milionë denarësh që një ndërmarrje publike duhet t’i bëjë një qiramarrësi për “Pishinën Olimpike” në Shkup, bazuar në marrëveshje të vjetra dhe dokumentacion të paqartë për investime.
Përveç problemeve ligjore, revizionet tregojnë edhe për gjendjen e rëndë fizike të shumë objekteve sportive, të cilat janë lënë pas dore dhe janë shndërruar në rrënoja, duke rrezikuar sigurinë dhe duke dëmtuar imazhin publik për menaxhimin e pronës shtetërore dhe zhvillimin e sportit në vend.
