Bruksel, 17 nëntor Zhurnal.mk – Ndërsa gjithnjë e më shumë vende po ndërmarrin hapa për të luftuar rezistencën antimikrobike, mangësitë në testimin dhe trajtimin e infeksioneve vazhdojnë të vënë në rrezik shëndetin e pacientëve. Kështu thuhet në të dhënat e reja të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ekspertët vazhdojnë të theksojnë se kur bakteret dhe mikroorganizmat e tjerë bëhen rezistentë ndaj barnave, infeksionet e zakonshme bëhen më të vështira për t’u trajtuar. Kjo rrit rrezikun edhe gjatë ndërhyrjeve rutinë mjekësore, si operacionet, lindjet apo trajtimi i kancerit. Sipas OBSH-së, në vitin 2023, rreth 1 në 6 infeksione bakteriale të konfirmuara në laborator rezultoi rezistente ndaj antibiotikëve.
Të dhënat e publikuara në prag të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike tregojnë se 173 vende kanë hartuar plane kombëtare për të luftuar këtë fenomen dhe vetëm 22% e vendeve raportojnë se kanë financimin e nevojshëm dhe i zbatojnë plotësisht planet e tyre.
Sipas OBSH-së, një tjetër problem madhor është mungesa e kapaciteteve diagnostikuese. Vetëm 36% e vendeve kanë laboratorë kombëtarë të referencës të pajisur për të identifikuar bakteret dhe kërpudhat rezistente. Ndërkohë, vetëm 63% kanë udhëzime për përdorimin e duhur të antimikrobikëve dhe pak më shumë se gjysma kanë sisteme për monitorimin e përdorimit të antibiotikëve dhe përhapjes së rezistencës.
Nisur nga kjo situatë OBSH u bën thirrje vendeve të investojnë në parandalimin e infeksioneve, diagnostikimin e hershëm dhe aksesin në trajtimin e duhur, për të frenuar një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik.

