Prishtinë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Ish-presidentja e Kosovës, tani deputete e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se komunikimi me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duhet të mbetet i afërt, i përditshëm dhe në nivelet më të larta politike, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka theksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rëndësishme për lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe zhvillimin e Kosovës, si dhe për mbështetjen ndërkombëtare dhe ekonominë e vendit.
“Ju e dini që jo vetëm për shkak të historisë së gjatë të mbështetjes amerikane në raport me lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe zhvillimin e Kosovës, por njëkohësisht edhe për shkak se sot ne akoma kemi miqësi të madhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin tonë kryesor, bashkëpunëtorin tonë. Akoma kemi mbështetje të madhe edhe në aspektin ndërkombëtar, por edhe në ekonomi është e domosdoshme që ky komunikim me administratën e Presidentit Trump të mbetet i afërt, të jetë i përditshëm dhe të jetë në nivelet edhe më të larta të mundshme.
Pra, nuk po flas vetëm për komunikim me disa zyrtarë në Departamentin e Shtetit, por po flas për komunikimin e domosdoshëm që duhet të jetë me nivelet më të larta politike të kësaj administrate dhe ajo nuk mund të jetë vetëm me ne që kemi qenë më herët në zyra, por është e domosdoshme që të jetë edhe me krerët aktualë të institucioneve, të cilët duhet të angazhohen për këtë pjesë kaq fondamentale të suksesit të Kosovës dhe të ardhmes”, ka deklaruar Osmani.
E pyetur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Osmani ka thënë se qëndrimi i saj për kthimin e mundshëm të ligjit në Kuvend do të varet nga përmbajtja dhe arsyetimi që do të paraqesë presidentja aktuale.
“Do të varet në tërësi nga përmbajtja. Siç e dini, rikthimi i një ligji në Kuvend duhet ta përmbajë edhe arsyetimin, dhe do të varet nga përmbajtja. Si parim, unë e përkrah të drejtën e secilit president që ta shfrytëzojë atë që njihet në praktikë si e drejta e vetos. Ju e dini që ne kemi pasur shqetësime fondamentale rreth përmbajtjes së atij ligji, dhe sigurisht se ne nuk e kemi votuar, por mbetet të pritet në qoftë se ai ligj do të kthehet vërtet dhe në qoftë se kthehet, cilat janë shqetësimet që i ka Presidentja e Republikës dhe pastaj do ta shqyrtojmë përmbajtjen e saj”, ka thënë Osmani.
