Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të ShBA-së në Kosovë, biseduan për pjesëmarrjen e saj në Bordin e Paqes

Nga D. V.
581 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për vizitën e saj të fundit në SHBA dhe takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zhvillimet e fundit në vend, si dhe çështje të ndryshme me interes të përbashkët.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm.

“Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim me këtë rast, Osmani nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve. Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit”, thuhet në njoftim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër