Shkup, 28 korrik – Migrimi i të rinjve është bërë “kanceri” kryesor i shqiptarëve gjithandej ku ata jetojnë. Nëse më parë emigronte vetëm kryefamiljari, tanimë po emigrojnë e gjithë familja. Kështu që vendbanimet shqiptare po boshatisen, e kështu edhe shkollat e nxënësit shqiptarë po mbesin çdo ditë e më pak. Prandaj, veprimi i fundit për të hapur paralele të gjuhës shqipe në Berlin nga ana e ministrisë së arsimit të Maqedonisë së Veriut, është një hap për t’u përshëndetur por që duhet të zgjerohet edhe më shumë gjithandej ku jeton diaspora shqiptare”, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në Berlin hapet klasa e parë për mësim në gjuhën shqipe!
Për herë të parë në historinë e mërgatës shqiptare në Gjermani, në kryeqytetin e Evropës, Berlin, është hapur zyrtarisht një klasë për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve tanë. Një moment historik që nuk është vetëm lajm i mirë, por gurthemeli për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shpirtit shqiptar në diasporë.
Nga partia shqiptare në pushtet kanë njoftuar se kjo arritje vjen falë përkushtimit të pandalshëm të zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, dhe vizionit të qartë të qeverisjes që për çdo shqiptar në çdo cep të botës ka vetëm një mesazh: gjuha jonë VLEN!
“Ky nuk është një hap simbolik, është fitore kulturore, emocionale dhe politike për të gjithë shqiptarët në mërgatë, që për dekada kanë pritur këtë ditë. Sot, Shqipja nisi të jehonë edhe në bankat shkollore të Berlinit sepse”, thuhet në kumtesëne VLEN-it.
Nuk ka komb shqiptar pa gjuhën shiqpe!
Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë është e një rëndësie të veçantë, duke ruajtur gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar e për rrjedhojë ka qenë ndër shqetësimet kryesore të diasporës shqiptare. Prandaj hapja e kësaj paralele të parë të gjuhës shqipe në Berlin, që financohet nga Maqedonia e Veriut është një veprim për t’u përshëndetur.
Deri më tani, nëpër diasporë ka pasur vetëm paralele në gjuhën maqedonase, ndërsa nxënësit shqiptarë të diapsorës kryesisht janë regjistruar nëpër klubet dhe paralelet që i ka financuar Kosova ose Shqipëria.
Tanimë është koha që për nxënësit shqiptarë në diapsorë të kujdeset edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut, sepse ata qytetarë dhe familjarët e tyre janë tatimpages të këtij shteti.
Natyrisht, që institucionalizimi i gjuhës shqipe në vendet e diasporës ku jetojnë shqiptarët është një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, por Ministria e Arsimit duhet të jetë e vendosur dhe optimistë që për brezat që vijnë do të duhet të kujdeset që ata mos të ndahen nga vendlindja. Shpresat janë të mëdha, që një ditë të ketë një marrëveshje që ëndrra e çdo mësuesi, prindi, fëmije dhe e gjithë shqiptarëve në diasporë të bëhet realitet, e ajo ëndërr është që “gjuha shqipe të jetojë në jetë të jetëve“.
Përfitimi i shqiptarëve që jetojnë në mërgatë është se lidhen me atdheun e tyre, kulturën dhe familjen, kurse përfitimi shtetit është se i kanë mundësitë më të mira që të përfitojnë investime nga bashkatdhetarët, që jetojnë e punojnë jashtë trojeve të tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.
Pas Berlinit të hapen edhe klasa të tjera
Pas hapjes së paraleles në Berlin, ministria e arsimit duhet të bashkëpunojë ngushtë me ministritë e arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë me ambasadat e saj në diasporë që të koordinohen dhe të detektojnë se ku ka nevojë tjetër për hapjen e paraleleve të reja në gjuhën shqipe. Shqiptarët e Maqedonisë gjithashtu janë të dyndur në Zvicër, Belgjikë, Austri, Itali por edhe në SHBA dhe në Australi, prandaj duhet që ky veprim të zgjerohet dhe shqiptarët të kenë sa më shumë klasa të mësimit të gjuhës shqipe.
Në këto klasa, që kryesisht janë vullnetare, nxënësit përveç që do të mësojnë gjuhën shqipe, ata do të mësojnë për historinë, kulturën, muzikën dhe traditat shqiptare. Do të jenë më të lidhur me atdheun dhe do të duan që sa më shpesh të vijnë në vendlindjen e të parëve të tyre.
Gjithashtu komunat shqiptare, duhet të organizojnë kurse verore dhe aktivitete të ndryshme që kur të vijnë mërgimtarët në vendlindje, fëmijët e tyre të shoqërohen me fëmijë të ndryshëm të vendit, të mësojnë vjersha, të bashkëbisedojnë dhe të lidhen sa më shumë me miq e shokë/shoqe të reja. Vetëm kështu do të arrijmë të pengojmë asimilimin e tyre në mërgim, shkruan “Zhurnal.mk”.
