PDK e LDK në pritje të ftesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit Albin Kurti, për nisjen e konsultimeve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ani pse Kurti ka shtatë ditë që kishte paralajmëruar nisjen e konsultimeve me partitë parlamentare për zgjedhjen e shefit të shtetit, në këto dy parti thonë se deri tani nuk ka pasur takime formale mes subjekteve politike.
“Për president duhet të ketë marrëveshje politike, duhet të ketë konsensus politik, duhet të ketë dialog dhe kompromis, i cili duhet të nxjerrë një president apo presidente që është përfytyrim dhe personifikim i unifikimit të popullit të Kosovës,” tha Artan Behrami, PDK.
Në pritje të një ftese zyrtare janë edhe në LDK. Deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit u takon të gjitha subjekteve parlamentare
“Nuk është që është biseduar nëse do të kemi kandidat. Ajo çka është e ditur dhe e njohur, kemi potencial, gjithmonë kemi pasur potencial që të kemi njerëz që janë shembull në udhëheqje dhe lidership, qoftë president, kryeministër apo pozita të tjera,” deklaroi Armend Zemaj, LDK.
Politologu Melazim Koci vlerëson se vonesa në nisjen e konsultimeve mund të reflektojë në vështirësi gjatë procesit. Ai nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja
“Këtu shoh probleme dhe nuk e përjashtoj mundësinë që Kosova, pas konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të Qeverisë, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për liferim të mjeteve nga BE-ja, të ketë probleme tek zgjedhja e presidentit apo presidentes dhe nuk e përjashtoj mundësinë që edhe të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nga mesi i prillit,” shtoi Melazim Koci, Analist.
Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar se kur Kurti do t’i ftojë partitë për konsultime. Mazhoranca e udhëhequr nga VV-ja ka 66 deputetë në Kuvend. Presidentja Vjosa Osmani ka mandat deri më 4 prill 2026, mirëpo sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit duhet të bëhet një muaj para përfundimit të mandatit, në këtë rast më 4 mars. Në të kundërtën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Presidentja Osmani është e vetmja deri tani që ka shfaqur ambicie për të rikandiduar edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar, megjithatë e njëjta nuk ka siguruar 30 nënshkrime të deputetëve për të zyrtarizuar kandidaturën e saj.
