Pas 27 vitesh, identifikohet Idriz Rrecaj – një nga 23 viktimat e “Grupit të Intelektualëve”

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pas 27 vitesh pritjeje, dhimbjeje dhe pasigurie, familja Rrecaj ka marrë përgjigjen e shumëpritur për fatin e Idriz Rrecajt, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Identifikimi i tij është konfirmuar zyrtarisht përmes analizave të ADN-së në laboratorin e Hagës, pas gjetjes së mbetjeve mortore në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Lajmi është bërë i ditur nga djali i tij, Shpëtim Rrecaj, i cili përmes një postimi ka treguar se pas 27 vitesh familja më në fund ka marrë përgjigjen për pyetjen që i ka shoqëruar për kaq gjatë: “Ku është Idriz Rrecaj?”.

“Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, ka shkruar Rrecaj.

Idriz Rrecaj është njëri nga tre personat, identiteti i të cilëve është konfirmuar pas zhvarrosjeve në Kalludër dhe Jabukë. Sipas raportimeve, viktimat i përkasin të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, të cilët ishin rrëmbyer më 19 prill 1999.

Për familjen Rrecaj, konfirmimi i identitetit shënon fundin e një pritjeje 27-vjeçare, por njëkohësisht rikthen dhimbjen e humbjes dhe kujtimet për një periudhë të rëndë të luftës në Kosovë.

Familja ka shprehur mirënjohje për institucionet e Kosovës dhe të gjithë ata që ndër vite kanë punuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Gjaku nuk humb kurrë!”, ka shkruar Shpëtim Rrecaj.

Idriz Rrecaj ishte në mesin e 23 burrave që u zhdukën në prill të vitit 1999. (Telegrafi)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër