Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Zyra e Medias dhe Komunikimit në Partinë Demokratike njoftoi sot se një komitet nismëtar ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për zhvillimin e një referendumi vendor, përmes të cilit qytetarët e Tiranës do të pyeten drejtpërdrejt nëse janë dakord me ndërtimin e kullës në Parkun Rinia.
Sipas zyrës së shtypit të PD, kërkesa është depozituar nga drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, anëtari i Kryesisë në PD, Dorjan Teliti dhe sekretari për Aksionin Qytetar, Erges Eskiu, të cilët kërkojnë nga KQZ nisjen e procedurave dhe pajisjen me formularët për mbledhjen e firmave të nevojshme.
Në dokumentin e dorëzuar, nismëtarët argumentojnë se ndërtimi i një godine të lartë në këtë zonë mund të ndikojë në trafikun, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra të kryeqytetit.
Pas depozitimit, përfaqësuesit e komitetit nismëtar deklaruan para mediave, duke kërkuar që vendimi për Parkun Rinia të mos merret vetëm nga institucionet, por të kalojë përmes votës së qytetarëve.
Malltezi e cilësoi Parkun Rinia si një nga hapësirat e fundit të gjelbra të mbetura në kryeqytet dhe tha se qytetarët duhet të pyeten nëse duan një tjetër kullë apo ruajtjen e parkut.
“Ka ardhur momenti që qytetarët të pyeten. Të pyeten a duan një kullë për qytetin e tyre apo duan një park më tepër”, deklaroi Malltezi.
Ndërsa Dorjan Teliti tha se qytetarët duhet të kenë fjalën për përdorimin e hapësirave publike.
“Zgjedhja duhet të jetë e qytetarëve”, tha Teliti, duke kërkuar që çështja të vendoset përmes referendumit.
Nga ana tjetër, Erges Eskiu u ndal te çmimet e apartamenteve në kullat e reja dhe problemet urbane të kryeqytetit. Ai tha se qytetarët kanë nevojë për më shumë infrastrukturë, transport, ujë të pijshëm, kanalizime, ajër të pastër dhe hapësira të gjelbra.
Nisma tashmë kalon në fazën e procedurave pranë KQZ-së, ndërsa nismëtarët synojnë mbledhjen e firmave për të çuar përpara kërkesën për referendum vendor.
