PD kërkesë Kuvendit: Mocion me debat për shqetësimet e PE për Shqipërinë

Nga D. V.
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 qershor, Zhurnal.mk – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.

Kërkesa mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ndërsa në të listohen 20 shqetësime që sipas PD-së evidentohen nga Parlamenti Evropian, të cilat kërkojnë një trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ndër shqetësimet që evidentohen është mungesa e barazisë së kushteve për aktorët politikë, keqpërdorimin e burimeve administrative që zbeh kufijtë mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, financimin e partive politike, akuzat për blerje votash dhe presionin mbi votuesit.

“Prandaj, i bën thirrje (Raporti) shumicës qeverisëse dhe opozitës në Shqipëri të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse një reformë të gjerë zgjedhore, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, si dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e papërmbushura të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias shumë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore. Thekson se një reformë e tillë duhet të forcojë kuadrin zgjedhor, përfshirë transparencën e financimit të fushatave, aksesin e barabartë në media dhe masat mbrojtëse kundër keqpërdorimit të burimeve administrative, si dhe të sigurojë zbatimin efektiv të këtij kuadri. Nënvizon se konsensusi i gjerë politik dhe zbatimi real i këtyre reformave janë thelbësore për garantimin e besimit publik në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Një tjetër pikë, sipas PD-së, është edhe polarizimi i vazhdueshëm politik dhe diskursi konfrontues politik, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike.

Në kërkesën e PD thuhet se Raporti i Komisionit Evropian “inkurajon aktorët politikë të rikthehen në dialog konstruktiv parlamentar, duke siguruar që Kuvendi i Shqipërisë të mbetet forumi kryesor për debat demokratik dhe kontroll demokratik. Nënvizon se një demokraci funksionale kërkon pjesëmarrje kuptimplotë të opozitës në procedurat parlamentare”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër