PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

nga D. V.

Partia Demokratike ka kërkuar sot thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, u shpreh në një deklaratë për mediet se kërkesa është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe ka kërkuar që Këshilli të mblidhet sa më shpejt.

“Bazuar në nenin 13, pika 6 e Rregullores, Këshilli mund të mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose të gjysmës së anëtarëve të tij”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, kjo kërkesë është bërë për të shqyrtuar një çështje urgjente që ka mbetur pa përgjigje për tri javë.

“Sot mbushen tri javë nga kërkesa e Prokurorisë për lejimin e arrestimit të Belinda Ballukut, dhe kjo është një vonesë e paprecedentë”, tha ai.

Bardhi nënvizoi se, sipas rregullores, kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të trajtohet si një procedurë urgjente.

“Kërkesa e prokurorisë është një procedurë urgjente dhe duhet të shqyrtohet brenda dy javësh”, tha ai.

Mbledhja e Këshillit, më 19 dhjetor, nuk arriti të vendosë për datën e mbledhjes së ardhshme, pas pesë orësh debate.

Deputetët e mazhorancës kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me materialin voluminoz të paraqitur nga SPAK, ndërsa avokati i Ballukut ka kërkuar një afat prej tri javësh për këtë proces.

Bardhi akuzoi gjithashtu shumicën për përdorimin e një strategjie që, sipas tij, dëmton transparencën dhe drejtësinë.

Bardhi njoftoi se do të përgatisë një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Kryetarit të Kuvendit, duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të drejtësisë. “Ne do të përgatisim me përgjegjshmëri të plotë edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit”, tha Bardhi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More