Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, tha sot se qeveria po ul mbështetjen financiare ndaj arsimit në projektbuxhetin e vitit 2027.
Gjatë një deklarate për mediet, Sula tha se, pavarësisht rritjes nominale të fondeve, pesha e arsimit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) është në rënie.
Sipas Sulës, financimi për arsimin parashikohet të jetë 3.19% e PBB-së në vitin 2027, nga rreth 3.26% që ishte në vitin 2026. Ajo e cilësoi këtë nivel si të pamjaftueshëm, duke theksuar se mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, e cila sipas saj është 4.8% e PBB-së.
“Arsimi bazë dhe parashkollor, ku merren themelet e formimit të nxënësve, përballet me mungesë financimi, mungesë të pajisjeve teknologjike e digjitale, me pabarazi sociale dhe territoriale, pa investime serioze në cilësi, do të financohet më pak. Për 2027-ën planifikohet 1,29% e PBB-së nga 1,35% që ishte këtë vit”, tha ajo.
Edhe arsimi profesional, sipas Sulës, do të përballet me ulje të financimit në raport me PBB-në, nga 0.178% në vitin 2026 në 0.173% në vitin 2027. Ajo tha se 87% e fondeve shkojnë për ndërtime dhe rikonstruksione shkollash, ndërsa vetëm 9.3% për laboratorë dhe pajisje.
Sa i përket arsimit të lartë, Sula tha se financimi parashikohet në nivelin 0.48% të PBB-së për vitin 2027, nga 0.47% në vitin 2026. Megjithatë, Sula argumenton se, duke marrë parasysh edhe tarifat që paguajnë studentët, mbështetja reale publike është më e ulët.
“Vitin e ardhshëm, qeveria parashikon të mbështetë arsimin e lartë të të rinjve në vlerën 0,48 % të PBB me një rritje të lehtë krahasuar me 2026, qe është 0,47%, por po të mbajmë parasysh qe vetë studentët mbulojnë përmes pagesës së tarifave rreth 30%, përqindja, faktikisht, shkon në 0,4% të PBB”, tha ajo.
Sula e cilësoi politikën buxhetore të qeverisë si tregues të mungesës së vullnetit për të investuar në arsim dhe dije.
