PD propozon dy projektligje për uljen e çmimit të karburantit

Nga D. V.
331 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka depozituar në Kuvend një paketë ligjore me dy projektligje, me qëllim uljen e çmimit të karburantit dhe lehtësimin e barrës për qytetarët dhe ekonominë.

Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha se karburanti në Shqipëri (nafta) taksohet shumë rëndë, në nivelin më të lartë në Evropë.

“Rreth 60%–65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat që mbledh qeveria. Për krahasim, mesatarja në vendet e BE-së është rreth 52%, ndërsa në shumë prej këtyre vendeve është nën 50%. Në vendet e zhvilluara të OECD-së, taksimi është edhe më i ulët, rreth 40%–45%”, sqaroi Bozdo.

Sipas tij, shteti shqiptar për çdo litër nafte të shitur merr rreth 125 lekë taksë.

Bozdo u shpreh se përmes paketës ligjore të propozuar, PD propozon uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013.

Gjithashtu PD propozon “aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës, duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve”.

Bozdo theksoi se “zbatimi i këtyre masave do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, nga rreth 220 lekë/litër qe po shitet sot, në të paktën 175 lekë/litër”.

Nga ana tjetër, ai shtoi se “propozimi ligjor trajton edhe menaxhimin e rezervave strategjike të naftës, të detyrueshme sipas standardeve të BE-së”.

“Aktualisht, sipas deklarimeve publike, rezervat e naftës në Shqipëri mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardi i BE-së bazuar në direktivën  2009/119/EC, kërkon mbulim për 90 ditë importe”, teksa shtoi se kryeministri Edi Rama pohoi “se rezervat e naftës janë për momentin vetëm 30 ditë”.

Bozdo tha se kjo paketë ligjore është e aplikueshme sot në shumë vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër