Uashington, 23 prill, Zhurnal.mk – Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zëvendësuar sekretarin e Marinës amerikane, John Phelan në një moment tensionesh në rritje në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit, ku po zbatohet një bllokadë detare.
Zëdhënësi i Pentagonit konfirmoi sot në platformën X se John Phelan është larguar nga detyra me efekt të menjëhershëm. Në vend të tij, detyrat do të merren përsipër, përkohësisht nga zëvendës-sekretari Hung Cao.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë arsye zyrtare për këtë ndryshim.
Phelan, një ish-bankier investimesh, erdhi në detyrë në mars të vitit 2025 dhe gjatë mandatit të tij u fokusua kryesisht në forcimin e industrisë së ndërtimit të anijeve dhe modernizimin e sektorit detar amerikan.
Sipas raportimeve të “The New York Times”, duke cituar burime anonime, prej disa muajsh ekzistonin tensione mes Phelan dhe drejtuesve të lartë të Pentagonit, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zëvendëssekretarin Stephen Feinberg.
Sipas këtyre burimeve, pakënaqësitë ishin rritur sidomos lidhur me menaxhimin e nismës së re për ndërtimin e anijeve luftarake.
Në dhjetor, Phelan u shfaq së bashku me presidentin amerikan Donald Trump gjatë prezantimit të planeve për ndërtimin e anijeve të reja luftarake, të cilat pritej të mbanin emrin e presidentit. Në atë event, Trump e vlerësoi publikisht punën e tij.
Ndryshimi në krye të Marinës amerikane vjen në një periudhë kur forcat detare të SHBA-së luajnë një rol kyç në strategjinë amerikane ndaj Iranit, përfshirë edhe zbatimin e një bllokade detare që synon kufizimin e të ardhurave të Teheranit nga eksportet.
Masa, sipas raportimeve, zbatohet për të gjitha anijet që nisen nga ose drejt porteve iraniane.
Ky zhvillim vjen pas një sërë ndryshimesh të tjera në strukturat ushtarake amerikane, përfshirë dorëheqjen e detyruar të shefit të shtabit të Ushtrisë amerikane disa javë më parë.
