Përdorimi i Inteligjencës Artificiale, Doko: Duhet kornizë ligjore për përdorimin

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 shtator Zhurnal.mk – Inteligjenca Artificiale nuk është më teknologji e së ardhmes. Ajo tashmë është pjesë e përditshmërisë sonë. Nga kërkimi i informacioneve dhe marrja e këshillave, deri te vendimet që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Por, sa më shumë që zgjerohet përdorimi i saj, aq më e madhe bëhet edhe nevoja për rregulla të qarta se si dhe deri ku mund të përdoret. Pas paralajmërimit të Ministrisë së Transformimit Digjital për përgatitjen e një kornize të re ligjore, profesori universitar dhe njëherësh ligjëruesi për Inteligjencën Artificiale, Fisnik Doko, për TVM2 vlerëson se një ligj i tillë i nevojitet edhe vendit tonë, por qëllimi i tij duhet të jetë rregullimi i përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe jo kufizimi i teknologjisë.

“Po, në realitet në Evropë që nga viti 2024, ka nisur kjo iniciativë dhe tashmë ligjet e Evropës, AI Act, kanë hyrë në fuqi, disa prej tyre që nga gushti i këtij viti, që do të thotë se nevojën e kemi patjetër. Ideja është ta qartësojmë, jo të kufizohet, por të rregullohet se si të përdoret Inteligjenca Artificiale në mënyrë të përgjegjshme dhe të drejtë. Përveç kësaj, nuk ka nevojë të nisim nga zero, por mund të nisim nga baza e AI Act-it dhe gjithashtu duke kontaktuar profesionistë të kësaj lëmie të bashkëpunojmë që të sillet ky ligj, por jo ta kufizojë, por ta drejtojë në mënyrë të përgjegjshme, të drejtë dhe që të përdoret më mirë Inteligjenca Artificiale.”, – theksoi profesori universitar, Fisnik Doko.

Qytetarët e përdorin për nevoja ditore

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale tashmë nuk njeh as moshë e as gjini. Ajo është bërë pjesë e përditshmërisë për të gjithë. Gjithnjë e më shumë përdoret për të marrë informacione, mendime dhe propozime për hallet dhe problemet e përditshme, edhe pse një pjesë e qytetarëve bëjnë kujdes të veçantë për të dhënat e tyre personale.

“Po e përdorim inteligjencën artificiale për sëmundjet, për problemet që i kemi dhe si të arrijmë deri te zgjidhja, pra e përdorim aq sa na nevojitet. Por, kemi frikë mos keqpërdoren të dhënat personale, andaj edhe nuk japim të dhënat tona personale.”, – tha një qytetare.

“Unë vetëm ChatGPT-në e përdor ndonjëherë, për çfarëdo lloj kërkese apo nevoje që kam.”, – tha një qytetar.

“Po, shpesh e përdor, e sidomos ChatGPT-në, Google Gemini-n. Personalisht e përdor më së shumti për përmirësimin e gabimeve drejtshkrimore, gjuhësore etj.”, – tha një qytetar tjetër.

Doko: Deepfake-u dhe dezinformimi, rrezik nga IA

Por, kur bëhet më i rrezikshëm përdorimi i Inteligjencës Artificiale pa një kornizë të qartë ligjore dhe cilat fusha duhet të kufizohen? Pa dyshim, thotë Doko, ndër më të rrezikshmet janë përdorimi i deepfake-ut dhe dezinformimi.

“Si shembull të parë e kemi deepfake-un, pra të kufizohet deepfake-u, të kufizohen dezinformimet, të përkufizohet Inteligjenca Artificiale kur përdoret automatikisht dhe përcjell ndonjë vendim të rëndësishëm, ndonjë vendim punësimi. Pra, të mos ia lëmë në dorë Inteligjencës Artificiale të vendosë se cilin ta punësojmë ose kur aplikojmë për kredi. Të mos ketë diskriminime. Këto janë disa fusha më të rrepta, ku këtu duhet të ketë kufizime më të rrepta. Te pjesa tjetër, që ka më pak rrezik të ulen nivelet e kontrollit nga njeriu për verifikim.”, – theksoi profesori universitar, Fisnik Doko.

Ideja për një ligj të veçantë për Inteligjencën Artificiale është pjesë e aktiviteteve të parashikuara me Strategjinë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale. Draft-versioni i parë i strategjisë pritet të prezantohet ditëve në vijim dhe do të përmbajë edhe një plan veprimi me detyra konkrete për institucionet. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, pret që strategjia të miratohet deri në fund të këtij viti, duke hapur rrugën edhe për rregullimin ligjor të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër