Përfaqësues të KE-së në KLGJ, në fokus forcimi i institucioneve të drejtësisë

Nga D. V.
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Në Këshillin e Lartë Gjyqësor u zhvillua sot një takim me përfaqësues të Komisionit Europian, në kuadër të një vizite zyrtare në Shqipëri.

Në takim morën pjesë kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Klodian Kurushi dhe anëtarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Irena Plaku.

Nga ana e Komisionit Evropian morën pjesë Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST), Isabella Torta, drejtuese ekipi në Sektorin e Sundimit të Ligjit në DG ENEST, Charlotte Garyga, zyrtare për Politikat në DG ENEST, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi për procesin e reformës në drejtësi dhe avancimin e mëtejshëm të standardeve të sistemit gjyqësor.

Në fokus të diskutimeve ishte përmbushja e objektivave të reformës në drejtësi, hapat e mëtejshëm për rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.

Palët trajtuan çështje që lidhen me uljen e stokut të çështjeve gjyqësore, plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, si elemente të rëndësishme për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së administrimit të drejtësisë.

Palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe riafirmuan angazhimin për vijimin e dialogut konstruktiv dhe mbështetjen e proceseve reformuese në sistemin gjyqësor shqiptar, në përputhje me standardet evropiane dhe objektivat e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për avancimin e reformave dhe garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe në shërbim të qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër