Përforconi cilësimet e sigurisë në “Whatsapp”! Hakerët godasin rajonin, rrezikohet edhe vendi

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 tetor Zhurnal.mk – Sulmet e reja kibernetike po bëhen së fundmi në shtetet fqinje nga aplikacioni “WhatsApp”. Ekspertët kompjuterik thonë se edhe vendi ynë është i ekspozuar ndaj rrezikut. Sa nuk është vonë, ata rekomandojnë që të bëhet përforcimi i cilësimeve të sigurisë në llogarinë tuaj të këtij aplikacioni.

Profesori universitar Filip Simeonov sugjeron që kurrë me askënd të mos e shpërndani kod verifikimi, aktivizoni dy faktorët e autenticitetit për të vërtetuar dyfish sistemi që jeni sigurt ju, mos klikoni në linqe të dyshimta, mos ja jepni askujt kodin që ju arrin në SMS dhe shkyçni të gjitha pajisjet e vjetra që i keni pasur si “linked devices”. Ai tha që nëse merrni kërkesë të çuditshme nga lista e kontakteve që i njihni apo ju kërkojnë para në “WhatsApp” mos i dërgo.

“Kohëve të fundit shohim më shumë raste ku sulmuesit përdorin një inxhinieri sociale të caktuar, dërgojnë mesazh që duket sikur është miku, kolegu apo kompani e njohur, pastaj të njëjtën e dërgon te kontaktet e veta. Rreziku më i madh është marrja e llogarisë së ‘WhatsApp’-it, ku sulmuesi mund ti kontaktoj të gjithë personat, përkatësisht viktimat, pasi që porosia vjen nga një person i njohur besimi është shumë më i madh. Një profil i komprometuar mund të jetë një fillim i sulmeve të reja”, tha Filip Simeonov – ekspert i IT-së.

Brezi më i pambrojtur janë adoleshentët. Kjo ka ngritur shqetësimin në stafin pedagogjik, të cilët iu bëjnë thirrje prindërve që t’i mbajnë nën kontroll fëmijët e tyre.

“Keqpërdorimi i të dhënave personale shpeshherë ndodh edhe tek fëmijët pasi që ata nuk janë në dijeni se mund të rrezikohet identiteti i tyre apo të dhënat personale dhe për këtë arsye profesorët apelojnë që të kenë kujdes sikurse prindërit ashtu edhe fëmijët në përdorimin e aplikacioneve, sidomos pas keqpërdorimeve dhe hakerimeve të ‘WhatsApp’-it”.

Profesori i informatikës Nderim Ramani tha se vet nxënësit bien pre e mashtrimeve duke aluduar që dikush i afërm po i shkruan, dhe me t’ju marrë llogarinë e “WhatsApp”-it të gjitha kontaktet e tij janë të ekspozuara në rrezik për mashtrimin e radhës, duke folur në emër të tij.

“Mund të themi se kemi disa raste ku ka pasur tendencë që nxënësve t’u vidhet identiteti, të mashtrohen përmes linqeve, të cilat kërcënojnë sigurinë e tyre apo ju marrin të dhënat e tyre personale ose shfrytëzohen për reklama të ndryshme. Më së tepërmi shfrytëzohet çiltërsia e nxënësve dhe besueshmëria ndaj një të panjohuri, i cili me disa fjali arrin ndoshta ta bind apo ta fus në dyshim se diçka me të vërtetë është e dobishme për atë”, u shpreh Nderim Rahmani – profesor i informatikës.

Nga Sektori kundër krimit kibernetik dhe forenzikës digjitale në Ministrinë e Brendshme për TV21 thanë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë denoncim në lidhje me sulme kibernetike ndaj aplikacionit WhatsApp-it.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me mesazhet, linqet dhe bashkëngjitjet që marrin përmes platformave ‘WhatsApp’ dhe ‘Meta’. Mos hapni linqe të dyshimta dhe mos i shpërndani të dhëna personale ose financiare, fjalëkalimet dhe kodet e verifikimit. Mbroni profilet tuaja dhe mos lejoni që besimi juaj të keqpërdoret. Nëse diçka ju duket e dyshimtë – kontrolloni para se të reagoni”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Një numër i madh i hakerimit të llogarive personale dhe biznesore të “Whatsapp”-it ditëve të fundit ka ndodhur në Kosovë dhe në Shqipëri. Njësitet policore për siguri kibernetike kanë nisur hetimin për detektimin e mashtruesve në bashkëpunim me kompaninë amerikane “META” dhe operatorët celularë. Ekziston dyshimi që janë vjedhur kodet e verifikimit që arrijnë përmes SMS dhe qindra shtetas fqinjë kanë rënë pre e mashtrimit financiar dhe materialeve komprometuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër