Tetovë, 26 tetor Zhurnal.mk – “Procedura për riemërtimin e rrugëve si duket do duhet të pres deri në fund të vitit. Lista përfundimtare e emrave pret edhe një mbledhje, për tu arritur 300 të atillë të cilët më pastaj do duhet të kalojnë në duart e ekspertëve dhe pastaj para këshilltarëve për miratim. E gjithë çështja e vonesës sipas kreut të komisionit për emërtim dhe riemërtim të rrugëve, ka të bëj me kujdesin që të mos ketë probleme ligjore apo gjuhësore me përkthimin e emrave në të ardhmen”.
“Lista ka arritur deri tek 254 emra dhe presim edhe një herë të ulemi bashkë me grupin e punës ti kalojmë edhe disa emra deri sa të kompletohet lista, dhe pas kompletimit të saj, do shqyrtohet edhe një herë me ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm që të mos kemi gjatë rrugëtimit probleme juridike gjuhësore apo administrative”, deklaroi Albi Qamili, Kryetar i Komisionit për emërtimin e rrugëve në Tetovë.
Qamili tha se ka marrëveshje paraprake me Qeverinë për emrat e ri të rrugëve që të mos bëhen pengesa në zyrtarizmin e tyre. Si fillim është vendosur që të emërtohen vetëm ato rrugë që nuk kanë emra dhe ata që janë vetëm me numra, e që në numër janë rreth 250 të atilla. Çështja e emërtimit dhe ri-emërtimit të rrugëve në Tetovë erdhi pas vendimi të Gjykatës Kushtetuese për t’i kthyer emrat e vjetër të disa rrugëve dhe sheshit “Iliria” në Tetovë. Kreu i Tetovë, Bilall Kasami kishte deklaruar se kontesti juridik mbi emrat e rrugëve ishte trashëguar nga administratat e kaluara komunale. Për ndryshimin e emrit të sheshti, opozita protestoi ndërsa pushteti shpalosi dokumentet ku në përdorim zyrtarë qëndrojnë akoma emrat e vjetër. Problemi me emrat e rrugëve dhe sheshit në Tetovë daton nga viti 2006.
