Policia paralajmëron prezencë të shtuar, Kasami thirrje të përdoren autobusët

Nga Xh M
999 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 21 qershor Zhurnal.mk – Kolona të gjata, rrugë të bllokuara dhe nervozizëm në timon. Kjo është pamja e paralajmëruar e Tetovës për muajt korrik dhe gusht, kur qyteti pritet të përballet me valën e parë të mërgimtarëve dhe nisjen e sezonit të dasmave.

Edhe pse ky skenar përsëritet çdo vit, infrastruktura rrugore mbetet e njëjtë, duke ngritur pikëpyetje për menaxhimin e fluksit. Sektori i Punëve të Brendshme sërish premton zgjidhje përmes prezencës së shtuar policore, duke u zotuar se këtë herë do të ketë uniforma pothuajse në çdo udhëkryq për të luftuar keqparkimet.

“Është paraparë që në çdo udhëkryq të ketë pjesëtarë të policisë dhe nëpër hapësirat e tjera, që të parandalohet parkimi i dyfishtë apo bllokimi i zonave të udhëkryqeve, me qëllim lirimin e komunikacionit. Po ashtu, do të jetë në shërbim edhe merimanga që do të ngrejë automjetet që do të pengojnë komunikacionin. Do të angazhohen shtesë edhe inspektorët e policisë me jelekë policie, që do të marrin masa. edhe për veprat e mundshme penale”, tha zëdhënësi i SPB-Tetovë.

Por, përderisa policia “kërcënon” me gjoba dhe karrotrecë, komuna zgjidhjen e kërkon te vetë qytetarët rezidentë. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, u ka bërë apel banorëve lokalë që t’i lënë makinat e tyre dhe të shfrytëzojnë autobusët, ndonëse premtimet për rrugë të reja njëkahëshe kanë mbetur ende pa u votuar në këshill.

“Tetova tanimë ka transport publik falas, andaj do t’i kisha lutur të gjithë banorët rezidentë të komunës që gjatë kësaj periudhe të mos i shfrytëzojnë veturat për të dalë në qytet, por të shfrytëzojnë transportin publik. Po ashtu, në mbledhjen e radhës të këshillit, do të bëhet rregullimi i shumë rrugëve që do të bëhen njëkahëshe, me çka do të lehtësohet qarkullimin i veturave”, u shpreh Bilall Kasami.

Si një zgjidhje emergjente, Komuna ka vendosur që oborret e disa shkollave fillore të përdoren si parkingje pa pagesë. Megjithatë, shumë qytetarë këto i kosiderojnë vetëm arnime të përkohshme të një problemi të thellë, ku kultura e keqe e parkimit dhe mungesa e një plani afatgjatë strategjik do ta mbajnë Tetovën të stërngarkuar dhe në kaos të plotë edhe këtë verë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër