Presheva bashkon studiuesit shqiptarë në një konferencë shkencore për trashëgiminë kombëtare

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Preshevë, 26 tetor, Zhurnal.mk –  Presheva ishte nikoqire e një konference shkencore treditore me temën “Studiuesit e huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare”, të organizuar më 23–25 tetor nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, nën drejtimin e profesor Xhemaledin Salihut.

Në konferencë morën pjesë akademikë dhe studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Përmes kumtesave të tyre, ata trajtuan historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, me fokus të veçantë te kontributi i studiuesve të huaj, si Edith Durham, Franz Nopcsa dhe Maximilian Lambertz.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës dhe rëndësisë së dokumentimit të saj përmes kërkimeve shkencore.

Prof. Dr. Agron Xhagolli vlerësoi organizimin e konferencës, duke theksuar nevojën për vazhdimin e kësaj tradite dhe për mbështetje më të madhe institucionale.

Konferenca u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës. Kumtesat e prezantuara pritet të botohen në një vëllim të veçantë shkencor. Në kuadër të programit u promovua edhe libri për personalitetet dhe figurat me vlera shkencore e kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe viset e tjera shqiptare.

Kjo veprimtari shënon një kontribut të rëndësishëm për bashkëpunimin akademik ndërshqiptar dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore të Luginës së Preshevës./Njofton Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër