Presidenti i FIFA-s, Infantino: Irani do të luajë patjetër në Kupën e Botës pavarësisht luftës

Nga D. V.
194 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha të mërkurën mbrëma se Irani “me siguri” do të marrë pjesë në Kupën e Botës, pavarësisht luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur në forumin “Invest in America” të CNBC-së, Infantino theksoi se është e rëndësishme që Irani të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026, edhe pse pjesëmarrja e kësaj përfaqësuese është vënë në pikëpyetje që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ajrore kundër vendit.

“Ekipi kombëtar iranian do të vijë me siguri. Shpresojmë që deri atëherë, sigurisht, situata të jetë e qetë. Siç thashë, kjo me siguri do të ndihmonte. Por Irani duhet të vijë. Sigurisht, ata përfaqësojnë popullin e tyre. Ata u kualifikuan. Lojtarët duan të luajnë”, ka thënë Infantino.

Dy javë më parë, Infantino u takua me ekipin kombëtar iranian në Antalia të Turqisë dhe të mërkurën tha se ishte i impresionuar nga ajo që pa.

“Shkova t’i takoja. Ata janë në fakt një ekip mjaft i mirë. Dhe ata me të vërtetë duan të luajnë dhe kanë nevojë të luajnë. Sporti duhet të jetë jashtë politikës tani”.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se ndarja e sportit dhe politikës nuk është gjithmonë e mundur.

“Në rregull, ne nuk jetojmë në hënë, ne jetojmë në planetin Tokë. Por e dini, nëse askush tjetër nuk beson në ndërtimin e urave dhe në mbajtjen e tyre të paprekura dhe të lidhura, atëherë ne e bëjmë punën”, përfundoi i pari i FIFA-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojnë Kupën e Botës së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.

Sipas orarit aktual, Irani është planifikuar të luajë dy ndeshje të fazës së grupeve në Ingleëood të Kalifornisë dhe një në Seattle.

Lufta i thelloi më tej dilemat rreth pjesëmarrjes së Iranit në Kupën e Botës. Zyrtarët shtetërorë dhe të futbollit iranian bënë deklarata kontradiktore në publik, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump e dekurajoi ekipin iranian nga pjesëmarrja në turne, duke përmendur arsye sigurie.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër