Prindërit e viktimave në “Puls”: Me mbi 200 dëshmitarë të propozuar po zgjatet gjykimi

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Koçan, 21 nëntor Zhurnal.mk – Familjet e të vdekurve në zjarin e diskotekës “Puls” frikësohen se numri i madh i dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja mund të zgjasë edhe më shumë procesin gjyqësor dhe të largojë momentin kur do të marrin drejtësi për të afërmit e tyre.

Ata shprehin pakënaqësi ndaj rrjedhës së procedurës, veçanërisht ndaj sjelljes së disa avokatëve të të akuzuarve.

Mbrojtja propozoi më shumë se 200 dëshmitarë, edhe pse gjatë procedurës disa propozime janë tërhequr. Prindërit mendojnë se ky qasje mund të çojë në zgjatje të panevojshme të gjykimit.

Në pyetjen nëse mendojnë se numri i madh i dëshmitarëve propozohet me qëllim që të fitohet kohë, ata u përgjigjën:

“Saktë, vetëm për këtë. Po zgjatet dhe po zbehet e gjithë situata.”

Prindërit theksojnë se çdo seancë e re përbën një barrë shtesë psikologjike. Udhetimet e vazhdueshme nga Koçani në Shkup, ndjekja e dëshmive dhe përballja e përsëritur me detajet e tragjedisë, siç thonë ata, thellojnë edhe më shumë dhimbjen e tyre.

Ata janë veçanërisht të zhgënjyer nga sjellja e disa avokatëve, për të cilët mendojnë se nuk tregojnë respekt të mjaftueshëm ndaj familjeve të të vdekurve.

“Askush nuk na pyet se si e përballojmë çdo seancë, si na është dita e mëparshme dhe si ndihemi kur shkojmë në gjykim,” thonë prindërit.

Nga ana tjetër, Aleksandar Naunov vlerësoi se ritmi i deritanishëm i gjykimit është intensiv, me rreth një seancë në javë, dhe shprehu shpresën se në periudhën e ardhshme do të caktohen edhe më shumë terma.

Familjet theksojnë se nuk kërkojnë kufizim të të drejtave të të akuzuarve, por që procesi gjyqësor të zhvillohet në afat të arsyeshëm dhe vendimi të merret mbi bazën e provave.

Pavarësisht lodhjes fizike dhe psikologjike, ata thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë në të cilën humbën jetën të afërmit e tyre.

Tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçani ndodhi më 16 mars 2025, rreth orës 02:35 pas mesnatës, gjatë performancës së grupit ADN. Në zjarr humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën. Aksidenti ngriti pyetje serioze rreth sigurisë së objektit, funksionimit të tij, lëshimit të lejeve dhe përgjegjësisë së institucioneve që duhej të ushtronin kontroll.

Zjarri, i shkaktuar nga shkëndijat e mjeteve piroteknike të aktivizuara gjatë performancës, u përhap shpejt në tavanin e objektit. Sipas aktakuzës, diskoteka funksiononte pa përmbushur kushtet minimale teknike, me parregullsi në dokumentacion dhe rindërtime, dhe pa sistem adekuat për mbrojtje nga zjarri. Në objekt kishte më shumë mysafirë se kapaciteti i lejuar, ndërsa evakuimi ishte i vështirësuar edhe për shkak të daljes së ngushtë.

Gjykimi për tragjedinë filloi më 19 nëntor 2025 në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, dhe në bankën e të akuzuarve ulën 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë.

Prokuroria i ndjek për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, përkatësisht për veprime dhe lëshime me të cilat, sipas aktakuzës, kontribuuan në tragjedi. Në ndërkohë, po zhvillohet edhe një procedurë e veçantë kundër punonjësve të policisë në lidhje me kontrollet e objektit.

artikuj të ndërlidhura