Shkup, 15 shkurt – Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të mbaj në kundërthënie palët në Qeveri. Përderisa VLEN pretendon se është e drejtë e juristëve shqiptarë, ndërkohë ministri i drejtësisë Fillkov e deklaron të kundërtën. Profesori universitar Mersim Maksuti thotë se provimi i jurisprudencës duhet të zhvillohet me automatizëm në gjuhën shqipe e garantuar me ligjin e gjuhëve si leg specialist, pasi parlamenti nuk arriti që një vit pas miratimit të këtij ligji ta harmonizojë me ligjet e tjera.
“Po ashtu ligji i gjuhës shqipe parasheh dhe thotë: nëse as ligjet nuk harmonizohen, as institucionet nuk sjellin akte nënligjore, ndryshohen rregulloret për të paraparë gjuhën shqipe, atëherë në këtë situatë institucionet janë të obliguara drejtpërdrejtë të zbatojnë ligjin e përdorimit të gjuhëve, në të gjitha situatat në të gjitha institucionet që detyrohen pra të zbatojnë gjuhën shqipe. Pra, ne e kemi këtë situatë kur ligjet e tjera nuk janë harmonizuar, institucionet nuk kanë sjellë akte nënligjore dhe rregulloret. Ato janë të obliguara prej atij momenti kur nuk e kanë bë këtë punë institucionet të thirren dhe të zbatojnë ligjin të gjuhëve, pra të gjuhës shqipe. Edhe në këtë bazë ministria e drejtësisë është dashur ashtu të veprojë deri sot, të njohë të drejtën e studentëve shqiptarë që ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.”, u shpreh për TVM2 profesori universitar Mersim Maksuti.
Zëvendës kryeministri Bekim Sali pati deklaruar se ka një boshllëk në ligjin e jurisprudencës. Profesor Maksuti e shpjegon këtë vakum duke thënë se nuk është specifikuar dhënia e provimit në gjuhën shqipe, por sipas tij nuk është thënë as që provimi duhet të jepet në maqedonisht. Maksuti thotë se ministria e cila është shprehur e hapur për debat, mund të nxjerrë ligj për ta parashikuar këtë të drejtë, por të mos ketë kufizime.
“Ta rregulloj këtë çështje sipas detyrës zyrtare pra eks oficio që do të thotë: institucioni, pra ministria e drejtësisë sipas detyrës zyrtare e ka obligim të organizoj procedurën e mbajtjes së dhënies së provimit edhe në gjuhën shqipe, jo me kërkesën e vetë studentit. Ligji aktual që është në fuqi për dhënien e provimit të jurisprudencës, nuk e parashikon as gjuhën maqedone, dmth nuk e rregullon fare këtë çështje, as gjuhën maqedone, as gjuhën shqipe.”, tha Maksuti.
Çështja në fjalë përfshiu edhe kryeministrin, i cili tha se është e drejtë qytetare, por duke mos arritur t’ia ndërrojë mendjen ministrit të drejtësisë. Bilall Kasami njëri nga kryesuesit e koalicionit VLEN madje aludoi se Fillkov do të përfshihet nga fshesa qeveritare në qershor. Por kjo nuk u mbështet nga kryeministri.

