Pse Arteta nuk ishte i pranishëm në festën e çmendur të Arsenalit pasi u shpallën kampionë

Nga D. V.
438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Arsenali më në fund i ka dhënë fund pritjes 22-vjeçare për lavdi në Ligën Premier, pas një mbrëmjeje dramatike të nxitur nga dështimi i Manchester Cityt për ta mposhtur Bournemouthin.

Ndërsa lojtarët dhe stafi teknik u përfshinë në festime të “çmendura” në qendrën stërvitore në London Colney, Mikel Arteta, arkitekti i këtij triumfi, ishte një mungesë e dukshme.

Arsenali u kurorëzua zyrtarisht kampion i Premier League pas barazimit 1-1 të Manchester Cityt me Bournemouthin, rezultat që matematikisht i shoi shpresat e Pep Guardiolës për ta çuar garën e titullit deri në fundjavën e fundit të sezonit.

“Topçinjtë” ishin mbledhur në bazën e tyre stërvitore në London Colney për ta ndjekur ndeshjen në “Vitality Stadium” dhe shpërthyen në skena gëzimi sapo u dëgjua vërshëllima e fundit.

Megjithatë, pavarësisht se ishte njeriu kryesor pas transformimit të klubit, Arteta nuk u pa askund gjatë festimeve të para në qendrën stërvitore. Ndërkohë që yje si Declan Rice, Bukayo Saka dhe Jurrien Timber u panë duke festuar deri vonë në natë, spanjolli e kishte bërë të qartë se këtë moment historik do ta kalonte larg kamerave.

Trajneri i Arsenalit zbuloi se kishte zgjedhur enkas ta ndiqte ndeshjen e Cityt nga rehatia e shtëpisë së tij.

“Nuk e di sa gjatë do ta shikoj. Do të jem para televizorit. Por nuk e di sa do të mundem ta shikoj, mendoj se kjo është realiteti”, u shpreh ai.

Edhe pa praninë e tij fizike në festë, legjenda e Artetës në “Emirates Stadium” tani është e sigurt. Me fitimin e titullit, ai është bërë ish-lojtari i parë i Arsenalit që e udhëheq klubin drejt një titulli në elitën e futbollit anglez si trajner.

Spanjolli, në moshën 44 vjeç e 54 ditë, është trajneri më i ri i Arsenalit që e fiton kampionatin, duke e kaluar ngushtë George Graham, i cili ishte 124 ditë më i madh kur e udhëhoqi ekipin drejt trofeut në sezonin e famshëm 1988-89.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër