Shkup, 30 tetpr, Zhurnal.mk – Qeveria pret një përgjigje nga studentët lidhur me propozimin për ndryshimin e modelit të ushqimit të subvencionuar për studentët, pasi në një takim dyorësh janë diskutuar si kjo çështje, ashtu edhe ajo e zhvillimit të provimit të jurisprudencës dhe zgjidhjet e mundshme për të.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në Komunën e Gazi Babës, tha se në takimin me studentët është prezantuar propozimi i Qeverisë për ushqimin e subvencionuar, për të cilin, sipas tij, edhe vetë studentët janë pajtuar se është më i mirë se modeli aktual.
“Patëm një takim konstruktiv që zgjati dy orë. Ua shpjeguam propozimin që ka Qeveria dhe vlerësojmë se ai është një zgjidhje shumë më e mirë sesa ajo që e kanë aktualisht, gjë për të cilën u pajtuan edhe ata. Tani presim përgjigjen e tyre. Na ishte premtuar se po atë ditë, deri në mbrëmje, do të merrnim një version-draft të asaj që do t’ua komunikonin kolegëve të tyre. Nuk e morëm. Sot është dita e dytë dhe shpresoj se do ta marrim”, deklaroi Mickoski.
Qeveria u ka propozuar përfaqësuesve të parlamenteve studentore rritjen e subvencionit për ushqimin e studentëve nga 3.500 në 4.500 denarë në muaj, mundësi për zbritje shtesë gjatë blerjes së ushqimit, si dhe futjen e një shërbimi të posaçëm digjital përmes aplikacionit “M-Shërbime”.
Këto propozime janë prezantuar në takimin e zhvilluar para dy ditësh mes kryeministrit Mickoski, ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe përfaqësuesve të studentëve, me qëllim gjetjen e një modeli të ri që do të përmirësojë standardin studentor.
