“Po e shohim me kujdes atë që po ndodh me kryetarin e Bashkisë së Tiranës”, zyrtari europian: Me rëndësi pavarësia e gjyqësorit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 tetor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, u ndal te situata e ditëve të fundit në vend, duke e cilësuar dhunën si të papranueshme, kjo referuar protestave javët e fundit.

Ai theksoi se liria e shprehjes dhe e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore janë vlera themelore të demokracisë europiane:

“Dua të prek një çështje delikate që ka të bëjë me tensionet e fundit të regjistruara në Tiranë. Bashkohem me shqetësimet e shprehura nga presidenti i Parlamentit Europian. Në çdo vend, dhuna nuk duhet të jetë një instrument i pranueshëm për t’u shprehur politikisht në një shoqëri demokratike. Liria e shprehjes dhe e drejta për të protestuar pa dhunë duhet të garantohen, sepse janë vlera dhe të drejta themelore europiane.

Protesta paqësore është një element kryesor i demokracisë, përmes së cilës qytetarët mund të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet. Nisur nga kjo, përfitoj nga rasti t’u bëj apel të gjitha institucioneve dhe protestuesve që të sillen me përgjegjësi dhe të shmangin çdo përshkallëzim, i cili është absolutisht i dëmshëm.

Unë mendoj se një demokraci e fortë nuk matet vetëm me mundësinë për të garantuar rendin publik, por edhe me mundësinë që kanë institucionet për të garantuar pluralizmin politik, përfaqësimin demokratik dhe besimin e qytetarëve”.

Gjatë fjalës së tij, Mazzeo preku edhe çështje të tjera të rëndësishme, si reforma territoriale dhe paraburgimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sa i përket reformës territoriale, ai theksoi se ajo duhet të bazohet te funksionet dhe detyrat e pushtetit vendor dhe jo te interesat elektorale. Sipas tij, çdo proces reformimi duhet të respektojë standardet e Bashkimit Europian dhe të garantojë përfshirjen e minoriteteve në jetën publike.

“Disa javë më parë, Komiteti Europian i Rajoneve nënvizoi qartë se reforma territoriale duhet të ketë në bazë funksionet dhe detyrat e pushtetit vendor dhe jo interesat elektorale. Këtu nuk kemi të bëjmë me zgjedhjet, por me jetën e qytetarëve. Çdo proces apo reformë duhet të respektojë standardet e BE-së. Duhet të garantohet përfshirja e minoriteteve dhe e drejta e tyre për t’u përfshirë në jetën publike.

Tani u takon qytetarëve dhe institucioneve të vëzhgojnë pasojat e kësaj reforme dhe të vlerësojnë konkretisht efektet e saj.

Raporti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës nënvizon, në disa aspekte të reformës territoriale, një tendencë jo të duhur të centralizimit të pushteteve, pamjaftueshmërinë e buxheteve të përcaktuara për pushtetin vendor, mungesën e burimeve njerëzore dhe mungesën e gjithëpërfshirjes në mekanizmat e konsultimit. Në këto aspekte duhet të punohet”.

Një tjetër çështje e trajtuar nga zyrtari europian ishte ajo e Erion Veliajt. Mazzeo theksoi rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe të pavarësisë së gjyqësorit. Ai iu referua edhe raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili evidenton praktikën e zgjatjes së paraburgimit për kryetarët e bashkive.

“Raporti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës flet për disa çështje, siç është praktika e tejzgjatur e paraburgimit për kryetarët e bashkive, duke iu referuar gjithashtu edhe vëzhgimeve të Komisionit të Venecias.

Ne, si përfaqësues të autonomisë vendore, e vërejmë me shumë kujdes atë që po ndodh me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke përsëritur rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të pavarësisë së gjyqësorit”.

Deklaratat e zyrtarëve europianë u bënë gjatë takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, ku u diskutua mbi rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

artikuj të ndërlidhura