Prishtinë, 22 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se nga ky muaj lehonat e papuna do të përfitojnë mbështetje nga shteti nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj.
Kurti bëri të ditur se lehonat e papunësuara për gjashtë muaj në total i bie të marrin 3 mijë euro.
“Nga ky muaj rrisim shtesat për lehonat. Në këtë maj po i rrisim shtesat për lehonat ashtu siç kemi premtuar nga 325 në muaj në 500 euro në muaj sa paga minimale. Me fjalë të tjera nuk po presim korrikun, por rritjen po e bëjmë qysh tani.
Nga ky muaj e tutje çdo nënë lehonë do të përfitojë mbështetje mujore 500 euro në muaj. Kjo për një lehonë që nuk është e punësuar përkthehet në 3 mijë euro mbështetje për 6 muaj, pa i llogaritur shtesat mujore për foshnjat.
Kurse për nënat lehona të punësuara kjo përkthehet me mbështetje prej 1500 eurove përtej pagesave që u takon atyre me Ligjin e punës, 70 për qind e pagës nga punëdhënësi për gjashtë muaj dhe 50 për qind e pagës mesatare nga shteti për tre muaj tjerë”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri në detyrë tha se në mbështetje të grave së shpejti do të lansohet programi Super Puna.
“Shumë shpejt do të lansohet edhe programi ‘Super Puna’ për gratë, ku përmes së cilit gratë do t’i mbështesim duke u paguar për gjashtë muaj pagën minimale nëse kthehen në tregun e punës”, tha ai.
