Tiranë, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ndau sot një video ku prezantohen mënyrat se si pensionistët mund të përdorin shërbimet e platformës “e-Albania” përmes komandave zanore, me ndihmën e asistentes virtuale Diella.
“Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve e-Albania”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar demonstrohet përdorimi i Diellës për të marrë informacion mbi pensionin, për t’u regjistruar te mjeku i familjes, si dhe për të deklaruar humbjen e pasaportës.
Gjatë demonstrimit, përdoruesi kërkon informacion mbi masën e pensionit dhe Diella e orienton drejt kartelës së pensionit, të gatshme për shkarkim.
Më pas, përmes një komunikimi me komanda zanore, nis procedura për regjistrimin te mjeku i familjes, duke përcaktuar qytetin dhe qendrën shëndetësore ku do të shqyrtohet kërkesa.
Një tjetër shembull i paraqitur në video është deklarimi i humbjes së pasaportës. Diella shpjegon se shërbimi ofrohet pa pagesë dhe se vërtetimi përgatitet brenda tri ditësh.
Ajo ndihmon gjithashtu në hapjen dhe plotësimin e formularit, duke plotësuar automatikisht të dhënat personale dhe duke kërkuar informacionin e nevojshëm për dokumentin dhe rrethanat e humbjes.
Në fund të demonstrimit, Diella sqaron se formulari është ende në proces plotësimi dhe se shtypja e butonit “Dërgo” do të dorëzonte deklarimin.
Sipas Ramës, tashmë janë 19 shërbime më të lehta për t’u përdorur nga pensionistët përmes komandave zanore, ndërsa hyrja në platformën “e-Albania” mundësohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit.
“19 shërbime tashmë më të lehta për t’u përdorur, ndërsa hyrja në e-Albania mundësohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit”, thekson Kryeministri në postimin e tij.
Ai i fton qytetarët të ndjekin udhëzimet e videos për të parë se si mund t’i përdorin shërbimet digjitale përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me Diellën.
