Rama: Miratimi i buxhetit tregon pjekuri politike

Nga B.M
449 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar pas miratimit të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vendim si dëshmi të qartë të lidershipit politik dhe funksionimit të demokracisë lokale.

Përmes një postimi në rrjetet sociale,Rama ka shprehur mirënjohje për asamblistët e Kryeqytetit, të cilët, sipas tij, kanë treguar përgjegjësi publike dhe pjekuri politike në përputhje me pritjet e qytetarëve të Prishtinës.

“Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur përfaqësuesit janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar”, ka shkruar Rama.

Ai theksoi se ky vendim paraqet dallimin mes politikave të së kaluarës, që sipas tij e mbanin Kryeqytetin peng, dhe një qeverisjeje që synon të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

Sipas tij, çlirimi i institucioneve nga kultura e bllokadës krijon hapësirë për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Ky buxhet nuk është vetëm një dokument financiar, por një deklaratë politike dhe një mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen”, ka shkruar Rama.

Në fund, ai falënderoi edhe qytetarët e Prishtinës për besimin e dhënë përfaqësuesve të tyre dhe uroi që miratimi i buxhetit të shërbejë si bazë për zhvillim urban, mirëqenie dhe përmirësim të jetës në Kryeqytet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër