Shkup, 10 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Christoph Sommer, transmeton Zhurnal.
Kasami njoftoi se në takim mori pjesë edhe zëvendëskryetari i komunës, Albi Qamili, ndërsa u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, sfidat e procesit eurointegrues, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës.
Sipas Kasamit, Zvicra mbetet një partner i rëndësishëm strategjik dhe një mbështetëse e fuqishme e reformave demokratike, zhvillimit lokal dhe proceseve integruese të vendit.
“Bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate konkrete për qytetarët dhe mbetet një shembull i partneritetit të suksesshëm në funksion të zhvillimit dhe avancimit të standardeve evropiane”, ka theksuar Kasami.
Ai shtoi se VLEN mbetet e përkushtuar për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe përkrahjen e projekteve që sjellin zhvillim dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët.
Në fund të takimit, Kasami shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Konfederata e Zvicrës i jep Maqedonisë së Veriut dhe Komunës së Tetovës, duke riafirmuar angazhimin për realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët. /Zhurnal.mk
