Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama publikoi sot të dhëna në lidhje me raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar gjatë protestave të ditëve të fundit, duke e krahasuar me vendet e tjera të Evropës.
Sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri, në Francë janë raportuar 1 797 policë të plagosur dhe 2 448 protestues të lënduar, në Gjermani 34 policë dhe 130 protestues, në Rumani 33 policë dhe 419 protestues, në Shqipëri 191 policë të plagosur dhe 93 protestues të lënduar, ndërsa në Spanjë 33 policë dhe 893 protestues të lënduar.
Rama theksoi se kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur.
Kreu i qeverisë nënvizoi se Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës dhe se pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj saj nuk ka dalë nga misioni i saj demokratik.
“Ja pasqyra e turpit të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm. Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:
“Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë. Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur. Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik”, tha Rama.
Por, sipas Ramës “realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet”.
“Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit”, shkruan ai.
Kreu i qeverisë shtoi se “këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës”.
Rama tha se një pjesë e protestuesve të maskuar do të identifikohen me fytyrë dhe fakte, teksa shtoi se ata nuk kanë lidhje me universitetet dhe jetën studentore.
“I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore”, tha ai.
Sipas tij, “studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët”.
