Reformat gjyqësore dhe lufta kundër krimit kibernetik në fokus të takimit Shasivari-Aktash

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Shkup, Alper Aktash, gjatë të cilit u shqyrtuan mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë dhe mbështetjen e proceseve reformuese.

Siç kumtoi Ministria e Drejtësisë, Shasivari i uroi mirëseardhje ambasadorit Aktash dhe suksese në ushtrimin e misionit të tij diplomatik, duke theksuar se marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy vendeve përbëjnë një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e formave të reja të bashkëpunimit institucional.

Në fokus të bisedimeve ishin reformat në sistemin gjyqësor, forcimi i kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës. U shqyrtuan mundësitë për organizimin e trajnimeve të specializuara, vizitave studimore dhe aktiviteteve të përbashkëta, veçanërisht përmes bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe institucioneve përkatëse turke, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit në përballjen me format bashkëkohore të kriminalitetit, përfshirë krimin kibernetik, si dhe nevoja për avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale në sistemin e drejtësisë.

Ministri Shasivari iu referua gjithashtu pjesëmarrjes së tij në Samitin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll, ku zhvilloi një takim bilateral me ministrin turk të Drejtësisë, Akın Gyrlek. U theksua se dialogu i vendosur në nivel ministror krijon mundësi shtesë për konkretizimin e iniciativave të përbashkëta.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit të rregullt dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kompetente, me theks në projekte dhe aktivitete që do të kontribuojnë në modernizimin e sistemit të drejtësisë, ndërtimin e institucioneve më efikase dhe forcimin e sundimit të ligjit.

artikuj të ndërlidhura