Reshje të dobëta dëbore në Qafë Thore, qarkullimi vijon normalisht në akset rrugore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Prefektura e qarkut Shkodër në përditësimin e situatës në territor, pas rënies së temperaturave dhe reshjeve të dëborës theksoi se në Bashkinë Shkodër, gjatë ditës së djeshme, në orët e pasdites, në zonën e Qafë Thores janë regjistruar reshje të dobëta dëbore, pa shkaktuar problematika.

Në njoftim thuhet se ekipet dhe mjetet e bashkisë janë angazhuar në terren, ku është kryer pastrimi i rrugës dhe trajtimi i saj me kripë për parandalimin e ngricave. Deri në këto momente nuk raportohen problematika të tjera në territorin e bashkisë.

Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, Bashkisë Vau i Dejës dhe Bashkisë Pukë nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile nga strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile.

Sa i përket situatës hidrologjike, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë bën me dije se nivelet e ujit vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut dhe veprat ujore nuk paraqesin problematika.

Sipas informacionit të kontraktorëve përgjegjës për mirëmbajtjen rrugore, situata në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, moti paraqitet i kthjellët, ndërsa janë regjistruar rënie të temperaturave, kryesisht në zonën e Qafë Thores. Janë marrë masat e nevojshme për trajtimin e rrugëve me kripë, me qëllim parandalimin e ngricave, dhe qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.

Në aksin Han i Hotit–Vermosh, vijojnë punimet për pastrimin e materialeve inerte të rëna në rrugë nga ekipet e mirëmbajtjes. Qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkërendim me strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, vijon monitorimin e situatës dhe mbetet në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente.

artikuj të ndërlidhura