Rregulla të reja në kufirin Kroaci – BiH nga sot: Këta udhëtarë nuk mund ta përdorin shërbimin e ri doganor

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Nga e diela, 1 nëntor 2026, Kroacia ka vënë në funksion shërbimin e ri digjital **eODPP**, i cili u lejon udhëtarëve që të deklarojnë paraprakisht mallin, të llogarisin dhe të paguajnë detyrimet doganore para se të mbërrijnë në pikën kufitare.

Megjithatë, Drejtoria Doganore e Republikës së Kroacisë ka publikuar një përjashtim të rëndësishëm që prek kryesisht një pjesë të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës që jetojnë pranë kufirit ose që udhëtojnë çdo ditë për punë në Kroaci.

Sipas udhëzimeve zyrtare, shërbimin e ri **nuk mund ta përdorin**:

* banorët e zonave kufitare,
* punëtorët që çdo ditë kalojnë kufirin shtetëror për shkak të punës,
* anëtarët e ekuipazheve të mjeteve transportuese, përfshirë shoferët profesionistë, pilotët, stafin e kabinës dhe personelin e trenave.

Ky vendim është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët e Bosnjës që jetojnë në vendbanimet kufitare me Kroacinë, përfshirë pjesë të Krajinës, Posavinës dhe Hercegovinës.

**Pse rregulla të ndryshme për banorët kufitarë?**

Për qytetarët që jetojnë në zonat kufitare tashmë ekzistojnë rregulla të veçanta doganore.

Ndërsa udhëtarët e zakonshëm që hyjnë në Kroaci nga Bosnja me rrugë tokësore mund të fusin mall jo-tregtar me vlerë deri në **300 euro** pa paguar detyrime, për kategoritë e përjashtuara pragu bazë është vetëm **40 euro në ditë**.

Për alkoolin, produktet e duhanit dhe kategori të tjera zbatohen kufizime të veçanta sasiore.

Drejtoria Doganore sqaron se jo çdo banor i një komune afër kufirit ka automatikisht statusin e banorit kufitar – statusi varet nga rregulloret dhe zona e përcaktuar kufitare.

**Si bëhet deklarimi nëse nuk mund të përdoret eODPP?**

Qytetarët që i përkasin kategorive të përjashtuara mund ta deklarojnë mallin direkt te doganieri në momentin e kalimit të kufirit. Për mall jo-tregtar në bagazh personal, kur plotësohen kushtet ligjore, deklarata doganore mund të bëhet edhe gojarisht.

Përjashtimi nga shërbimi digjital nuk do të thotë ndalim i futjes së mallit të lejuar dhe as ndalim i kalimit të kufirit.

**Çfarë ofron shërbimi i ri për udhëtarët e tjerë?**

Përmes kompjuterit ose telefonit, udhëtari fut paraprakisht të dhënat për mallin – vlerën, sasinë, shtetin e blerjes dhe faturën. Aplikacioni llogarit detyrimet dhe lejon pagesën paraprake. Procedura mund të niset më së heri 5 ditë para mbërritjes në kufirin kroat. Në kufi, udhëtari tregon vetëm numrin e konfirmimit.

Shërbimi nuk mund të përdoret nëse udhëtari nuk ka faturë për mallin, nëse malli i nënshtrohet tarifave antidamping, ndalesave, ose nëse kërkohet tarifë preferenciale.

Informacionet e detajuara janë publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë Doganore të Kroacisë.

artikuj të ndërlidhura