Rreth 30 të moshuar në pritje, mungesa e stafit pengon pranimin në Shtëpinë e Pleqve në Kumanovë

Nga Xh M
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 18 korrik Zhurnal.mk – Rreth 30 të moshuar presin në listën e pritjes për t’u pranuar në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto” në Kumanovë, por mungesa e personelit po e pamundëson pranimin e tyre. Institucioni përballet me mungesë të theksuar të kuadrit, gjë që ndikon edhe në cilësinë e shërbimeve për banorët aktualë.

Punonjësit thonë se situata është bërë gjithnjë e më e vështirë, pasi një punonjës shpesh detyrohet të kryejë punën e dy ose tre kolegëve.

“Stafi nuk është i mjaftueshëm dhe kemi mungesë të madhe të kuadrit. Me vështirësi arrijmë t’i kryejmë të gjitha obligimet dhe kemi nevojë për më shumë punësime”, tha Hanumsha Bajrami, e punësuar në institucion.

Edhe drejtori i Shtëpisë së Pleqve “Zafir Sajto”, Aleksander Kërstevski, konfirmoi se aktualisht rreth 30 persona presin të sistemohen, por mungesa e stafit nuk lejon pranimin e tyre.

Sipas tij, institucioni aktualisht ka 33 të punësuar me kontrata të përhershme dhe shtatë me kontrata të përkohshme, ndërsa për funksionim normal nevojiten rreth 68 punonjës.

“Kemi biseduar edhe me ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, i cili është i informuar për situatën. Pengesa kryesore për punësime të reja janë financat dhe shpresojmë që me rebalancin e buxhetit të krijohen mundësi për angazhimin e personelit të ri”, deklaroi Kërstevski.

Pavarësisht mungesës së stafit, disa nga banorët e Shtëpisë së Pleqve shprehen se janë të kënaqur me kushtet dhe kujdesin që marrin në institucion, ndërsa drejtuesit paralajmërojnë se pa përforcim të personelit do të jetë e vështirë të përballohet kërkesa në rritje për akomodimin e të moshuarve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër