Rritet interesimi për Pishinën e Qytetit në Tetovë, qytetarët kërkojnë më shumë investime në infrastrukturën sportive

Nga Xh M
732 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 5 korrik Zhurnal.mk – Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm interesimin e qytetarëve për të frekuentuar pishinat. Një ndër destinacionet më të vizituara është Pishina e Qytetit në Tetovë, e cila çdo ditë mirëpret vizitorë të të gjitha grupmoshave.

Qytetarët vlerësojnë kushtet që ofron pishina, duke theksuar se ajo shërben jo vetëm për rekreacion, por edhe për mësimin e notit dhe përfitimet shëndetësore. Sipas tyre, investime të ngjashme duhet të realizohen edhe në qytete të tjera dhe në zonat rurale.

“Është një pishinë shumë e mirë. Fëmijët relaksohen, mësojnë not dhe kalojnë kohë cilësore. Do të ishte mirë që pishina të tilla të ndërtohen edhe nëpër fshatra”, u shpreh një qytetar.

Të tjerë thanë se e vizitojnë pishinën pothuajse çdo ditë, ndërsa prindërit theksojnë se noti është i rëndësishëm për zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve.

Pishina funksionon nga e hëna deri të premten, nga ora 08:30 deri në 16:30, ndërsa gjatë fundjavës është e hapur nga ora 09:00 deri në 21:00.

Udhëheqësi i Sektorit për Sport në Komunën e Tetovës, Muhamed Avziu, tha se interesimi është veçanërisht i madh gjatë fundjavave dhe se objekti shfrytëzohet nga të gjitha grupmoshat.

Ai bëri të ditur se çdo të mërkurë dhe të shtunë, deri në orën 12:30, pishina është e rezervuar ekskluzivisht për gratë, me qëllim që t’u ofrohet më shumë privatësi.

Avziu theksoi gjithashtu se sistemi i filtrimit funksionon 24 orë në ditë, ndërsa cilësia e ujit kontrollohet vazhdimisht si nga stafi i pishinës, ashtu edhe nga Qendra për Shëndet Publik, e cila ka konfirmuar se uji plotëson standardet dhe është i pastër.

Ndërkohë, Komuna e Tetovës ka nisur ndërtimin e edhe dy pishinave të reja, një në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” dhe një tjetër në shkollën “Naim Frashëri”, investime që pritet të rrisin mundësitë për zhvillimin e sportit dhe rekreacionit në qytet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër