Shkup, 15 Prill, Zhurnal.mk – Numri i turistëve të huaj dhe vendor gjatë dy muajëve të parë të 2026 është rritur për 6%, krahasuar me të njëjtin dy muajësh të vitit të kaluar, thonë të dhënat e entit statistikor të vendit.
“Në periudhën janar – shkurt të vitit 2026, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraprak, gjithsej numri i turistëve është rritur për 6.0%, respektivisht: te turistët vendor është rritje për 5.1%, ndërsa te turistët e huaj ka rritje për 6.5%,” tha sot enti i statistikave në një komunikatë për media.
Mirëpo në të njëjtën kohë ka patur zvogëlim të netëve të kaluara nga të njëjtit turistë edhe pse numri i tyre ka shënuar rritje.
“Në periudhën janar – shkurt të vitit 2026, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraprak, numri i netëve të kaluara ka rënë për 1.6%, edhe atë: te turistët vendor ka rënie për 0.2%, ndërsa te turistët e huaj rënie për 2.6%.
Ndërkohë, sipas të dhënave, në muajin shkurt të vitit 2026, nga numri i përgjithshëm 32.6% ishin turistë vendor ndërsa 67.4% ishin turistë të huaj.
Numri i netëve të kaluara në muajin shkurt të vitit 2026 është 94 652, prej të cilëve 38.1% janë turistë vendor dhe 61.9% janë turistë të huaj.
