Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mbajti ligjëratë përpara studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, me temë “Pavarësia e gjyqtarëve, përgjegjshmëria e tyre dhe besimi publik te drejtësia”.
Në ligjëratën e tij Sadushi theksoi se “pavarësia e gjyqësorit nuk është një privilegj që i jepet gjyqtarit. Ajo është një garanci që ekziston për hir të qytetarit”.
“Kur një gjyqtar gjykon i lirë nga presionet politike, ekonomike apo shoqërore, ai nuk mbron veten; ai mbron të drejtën tuaj për një gjykim të drejtë. Në fund të ditës, qytetari nuk ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të mos shqetësojë pushtetin; ai ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të zbatojë drejt ligjin”, tha Sadushi.
Sipas tij, pavarësia sot kërcënohet jo vetëm nga presionet e jashtme, nga politika apo biznesi, por edhe nga një rrezik më i heshtur, konformizmi.
“Ka gjyqtarë që nuk janë nën presion nga askush, por që gjithsesi zgjedhin rrugën e lehtë, zgjedhin vendimin që nuk u krijon probleme, dhe jo vendimin që është i drejtë. Kjo është një formë e heshtur e humbjes së pavarësisë”, tha Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë u ndal edhe tek sfidat e sistemit të drejtësisë.
“Sistemi ynë i drejtësisë ndodhet në një fazë të vështirë tranzicioni. Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016, ishte një hap historik. Procesi i vetingut pastroi sistemin nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i plotësonin standardet e integritetit. Kjo ishte e nevojshme, por çdo reformë e madhe ka edhe koston e saj. Ne duhet ta pranojmë këtë kosto me ndershmërinë që publiku e meriton, jo duke fshehur pasojat e saj, por duke i parë ato në sy dhe duke kërkuar zgjidhje”, nënvizoi Sadushi.
Sipas tij, vakancat e krijuara në sistem nga largimi i një numri të madh gjyqtarësh i kanë lënë gjykatat me ngarkesë të jashtëzakonshme.
Sadushi u ndal tek përgjegjshmëria e gjyqtarit, duke theksuar se kjo përgjegjshmëri manifestohet në cilësinë e vendimeve, në arsyetimin juridik, në transparencën procedurale dhe në sjelljen etike.
Më tej, Sadushi tha se sot në Shqipëri, besimi në drejtësi mbetet i ulët.
“Këtë e dimë të gjithë. Ky realitet mund të ndryshojë, nëse ne që jemi sot në sistem dimë t’i shohim me ndershmëri dhe përgjegjësi dobësitë e tij, t’i korrigjojmë ato, dhe nëse brezi që vjen zgjedh të mos pajtohet me to, por ta ngrejë sistemin më lart”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.
Duke iu drejtuar një mesazh studentëve Sadushi tha se “jo vetëm duhet të studioni më shumë, por të formoheni më thellë, si juristë dhe si qytetarë”.
“Ne kemi nevojë për një brez juristësh që ta kuptojnë se forca e së drejtës nuk qëndron te frika që ajo krijon, por te besimi që ajo ngjall. Shqipëria ka nevojë për ju, dhe po aq edhe drejtësia”, përfundoi Sadushi.
