Prishtinë, 10 prill Zhurnal.mk – Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin e gazit lotjsellës në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë rast të akuzuar janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ish-deputetja Drita Millaku; deputeti Salih Zyba dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvendin e Kosovës më 21.03.2018, raporton Kallxo.com.
Gjykata ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në seancën e datës 16.01.2026, kishte marrë vendim për të veçuar procedurën.
Me të filluar seanca e datës 10.04.2026, gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të pandehurit Salih Zyba dhe Fitore Pacolli e kanë njoftuar Gjykatën se të njejtit kanë pranuar ftesë për seancë në Kuvendin e Kosovës, andaj nuk mund të prezentojnë në gjykatore.
Ndërsa për të pandehurën Drita Millaku gjyqtari njoftoi se të njëjtës ftesa i është dorëzuar në adresën e specifikuar por që nga fletëkthesa rezulton se e njëjta nuk ka qenë prezent kur është dorëzuar ftesa.
Gjyqtari Sabit Sadikaj njoftoi të pranishmit në sallë se ndaj të pandehurve do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.
Prezent në seancë nga radhët e Prokurorisë ishte prokurori Avni Namani.
Kësisoj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, seanca e sotme u shty dhe e radhës u caktua për në muajin prill 2026.
Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 i akuzuari Salih Zyba, në fjalën hyrëse kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi, duke thënë se i njëjti është djali i sekretarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.
E si rrjedhojë e kësaj kërkese, seanca e datës 16.01.2026 ishte ndërprerë.
Në po këtë seancë i pranishëm nuk kishte qenë ministri Xhelal Sveçla. Gjykata kishte marrë vendim që ndaj Xhelal Sveçlës të veçohet procedura.
Ndërsa kërkesën e Zybës për përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi e kishte refuzuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi.
