Salla: Mbi 68 mijë kontrolle për sigurinë ushqimore gjatë 2026-ës, orientim drejt riskut real

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer 68 872 kontrolle zyrtare gjatë periudhës janar-gusht 2026, ndërsa puna për forcimin e sigurisë ushqimore është fokusuar te kontrollet e bazuara në risk, gjurmueshmëria, rritja e kapaciteteve laboratorike dhe forcimi i kontrolleve në kufi, bëri të ditur sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Në fjalën e tij në seancën dëgjimore në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural lidhur me çështjet e sigurisë ushqimore, Salla tha se siguria ushqimore është një nga fushat ku procesi i integrimit evropian kërkon prej nesh jo vetëm përafrimin e legjislacionit, por mbi të gjitha ngritjen e një sistemi që funksionon realisht sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Salla bëri të ditur se gjatë periudhës janar-gusht 2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer 68 872 kontrolle zyrtare, nga të cilat 8 242 inspektime në terren dhe 60 630 kontrolle në Pikat e Inspektimit Kufitar.

“Nga kontrollet në terren, 5 216 ishin të programuara sipas planit vjetor me bazë risku, ndërsa 3 026 kontrolle u kryen për licencime, ankesa, njoftime, urdhra të veçantë dhe nevoja të tjera”, tha Salla.

Ministri Salla vuri në dukje se synimi është kalimi gradual nga një sistem që e mat punën kryesisht përmes numrit të inspektimeve dhe gjobave, drejt një sistemi që identifikon dhe prioritizon rreziqet reale për konsumatorin.

“Ne po kalojmë gradualisht nga një sistem që mat punën vetëm me numrin e inspektimeve dhe gjobave, drejt një sistemi që pyet: Ku është risku? Cili operator paraqet risk më të lartë? Çfarë tregojnë analizat laboratorike dhe ku duhet të përqendrojmë kapacitetet tona? Pra, më pak formalizëm dhe më shumë kontroll aty ku ekziston risku real për konsumatorin”, tha Salla.

Ministri Salla u shpreh se “mesazhi ynë për operatorët e biznesit është i qartë: ne duam një marrëdhënie bashkëpunimi me biznesin, por për sigurinë e ushqimit nuk mund të ketë kompromis”.

Salla u ndal edhe tek forcimi i sigurisë ushqimore, duke theksuar se jemi fokusuar tek kontrolli në kufi dhe në treg, laboratorët, gjurmueshmërinë, standardet e stabilimenteve dhe përafrimin me Bashkimin Evropian.

“Gjatë periudhës janar–shtator, AKU ka marrë 34 njoftime përmes sistemit RASFF, ndërsa Shqipëria ka përcjellë 16 njoftime për raste të evidentuara nga kontrollet tona. Kjo do të thotë se institucionet shqiptare janë pjesë aktive e mekanizmit evropian të shkëmbimit të informacionit. Kur identifikohet një risk, informacioni lidhet me importuesin, lotin dhe destinacionin e produktit dhe ndiqet deri në marrjen e masës. Vetëm gjatë janarit–gushtit 2026, laboratorët e AKU-së kanë pranuar 3 337 mostra dhe kanë analizuar 5 719 tregues analitikë; 95 mostra kanë rezultuar jokonforme. Rreth 42% e mostrave kanë ardhur nga kontrollet në kufi dhe 55,4% nga kontrollet në terren. Për ne kjo ka një kuptim të qartë: kontrolli i ushqimit duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë te prova shkencore dhe jo vetëm te verifikimi formal”, nënvizoi Salla.

Në të njëjtën kohë, vijoi Salla, puna e ISUV-it ka shënuar një rezultat të rëndësishëm.
“Në vizitën vlerësuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, e njohur si trupë certifikuese nga BE në datat 23-25 shtator 2026, për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e akreditimit sipas ISO 17025:2017. Auditimi u përmbyll me sukses dhe pa asnjë jokonformitet. U arrit mirëmbajtja e akreditimit për 1 945 teste dhe zgjerimi me 354 teste të reja. Ky është rezultat i punës së specialistëve dhe një garanci më shumë për besueshmërinë e analizave mbi të cilat mbështeten vendimet tona.
“Duam që kontrolli të shkojë aty ku risku është më i madh. Kjo kërkon të dhëna, histori të operatorit, rezultate laboratorike dhe gjurmueshmëri. Gjatë vitit 2026, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim, janë vlerësuar 696; 208 rezultuan të mbyllura, të pezulluara, në rikonstruksion ose të çregjistruara. Nga stabilimentet e vlerësuara, 19 u renditën në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV. Këto të dhëna na japin një pasqyrë konkrete të gjendjes dhe na lejojnë t’i themi çdo operatori se çfarë duhet të përmirësojë”, tha ministri.

Ministri Salal tha se “synojmë që deri në dhjetor 2026 të përgatitet Programi Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Për çdo operator duhet të jetë e qartë çfarë duhet të korrigjojë, brenda çfarë afati dhe si do të verifikohet progresi”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër