Sekretariati i Etikës përjashton dy deputetë të opozitës, Balliu: Po goditet grupi parlamentar i PD

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën përjashtoi sot me 60 ditë nga Kuvendi dy deputetët e Partisë Demokratike, Klevis Balliu dhe Gazment Bardhi, pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masës disiplinore ndaj tyre.

Partia Socialiste kërkoi përjashtimin e tyre nga seancat dhe komisionet parlamentare, pasi gjatë votimit të Reformës Territoriale hodhën shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve socialistë.

Në një deklaratë për mediet, deputeti Klevis Balliu tha se po tentohet që të goditet grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

“Nuk ka asnjë nen në rregulloren e parlamentit që përjashton deputetët për dy muaj. Sipas rregullores mund të përjashtohesh 60 ditë, por nëse përdor lëndë piroteknike. Veza nuk është lëndë piroteknike”, tha Balliu.

“Kjo ka vetëm një qëllim që të godasë grupin parlamentar të Partisë Demokratike, të godasë debatin në parlament, reagimin e drejtë që kemi ne pasi sulmohemi, pasi siç keni parë shishja lëshohet nga Partia Socialiste”, vijoi Balliu i cili theksoi se do ta ankimojnë vendimin.

Nga ana tjetër, deputeti Saimir Korreshi, anëtar i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, theksoi se është dhënë një dënim që nuk përcaktohet në rregullore, teksa e cilësoi këtë si një shkelje të rregullores.

“Çdo veprim që mund të pretendohet nga ana e kolegëve deputetë që kanë bërë kërkesën është e gabuar. Nuk mund të shkohej përtej 10-ditëshit, por këtu është bërë normë të shkellet rregullorja dhe Kushtetuta. Është dhënë një dënim që nuk përcaktohet në rregullore, kjo është shkelje e rëndë e parlamentarizmit”, tha Korreshi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër