Sekuestrohen 200 kg mish dyneri në pikën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë

Nga Xh M
11.9K e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 maj Zhurnal.mk – Dogana e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e rreth 200 kilogramëve mish në Pikëkalimin Kufitar në Glloboçicë. Sipas autoriteteve, mishi ishte i ndarë në 10 pjesë nga 20 kg dhe po transportohej në një automjet udhëtarësh pa kushte higjienike dhe pa kontroll sanitar, përcjell TV21. Mallrat janë sekuestruar dhe rasti është proceduar për kundërvajtje.

“Dogana e Kosovës parandalon kontrabandimin e 200 kg mishi (dyner) në Glloboçicë – evitohet rreziku i madh për shëndetin publik. Mbrëmë, rreth orës 18:20, në Pikëkalimin Kufitar Glloboçicë, në hyrje të vendit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet udhëtarësh. Edhe pse drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur para autoriteteve, pas kontrollit të hollësishëm të mjetit u zbuluan 10 copë rollne dyneri me peshë nga 20 kg secila, në një sasi totale prej rreth 200 kg dhe me vlerë të përafërt prej 800 eurosh. Përtej tentativës për shmangie të detyrimeve dhe taksave doganore, ky rast paraqet një shqetësim të lartë për sigurinë ushqimore. Sasia e mishit po transportohej në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, në mungesë të plotë të kushteve higjienike dhe pa temperaturë adekuate (pa frigorifer), duke synuar kështu edhe shmangien e kontrollit të domosdoshëm sanitar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Hyrja e produkteve të tilla jashtë çdo standardi të transportit dhe pa kontroll profesional përbën një rrezik potencialisht të lartë për shëndetin, ku nga kjo sasi mishi mund të prekeshin me mijëra qytetarë. Malli është sekuestruar menjëherë dhe do t’i nënshtrohet trajtimit të mëtejshëm ligjor për të siguruar neutralizimin e plotë të rrezikut, ndërsa ndaj palës ka filluar procedura kundërvajtëse”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Doganës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër