Sela: Nuk hyjmë në qeveri, përgatitemi të dalim të vetëm në zgjedhje

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 shtator Zhurnal.mk – Ziadin Sela e përjashton mundësinë e hyrjes në Qeveri të Lidhjes Shqiptare, duke thënë se nuk do të pranojë të mbajë mbi vete atë që e quan “vulën e tradhtisë”. Ai u bën thirrje edhe deputetëve shqiptarë të tërhiqen nga kjo rrugë, duke paralajmëruar se pasojat nuk lidhen vetëm me politikën e sotme, por edhe me të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Ziadin Sela as ka ndërmend të turpërojë fytyrën e vet, por as edhe të parëve të vet dhe damkën e tradhtisë dhe vulën e tradhtisë nuk ia vendos vetes. Dhe u bëj thirrje të gjithë deputetëve që janë shqiptarë të tërhiqen nga ajo rrugë, se këtu ngjan tradhtia, këta tradhtojnë perspektivën e fëmijëve të tyre, jo çdo herë do të jenë në funksion për t’i mbrojtur ata. Prandaj atë vulë tradhtie Ziadin Sela nuk e mban. Kështu që, në atë drejtim, ata e dinë shumë mirë dhe, prandaj, duke e ditur shumë mirë, as nuk guxojnë të trokasin në derë për të negociuar me mua në Qeveri”, tha Sela.

Sela njoftoi se partia e tij po përgatitet të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi i tij politik, pasi, siç tha, përvoja me koalicionet e deritanishme ka qenë zhgënjyese.

“Synimi im dhe i strukturës politike që unë udhëheq është që ne të garojmë vetëm në zgjedhje, natyrisht që është herët, fillimisht duhet të shpallen zgjedhjet, pastaj është çështje negociatash. Qëndrimet e mia, për hir të së vërtetës, çdo herë kanë qenë të tilla”, u shpreh Sela.

Para zgjedhjeve, sipas Ziadin Selës, duhet së pari të respektohet legjitimiteti, i cili, siç thotë ai, është shkelur disa herë dhe nuk duhet të lejohet më. Sela shprehet se synimi i tij dhe i subjektit që drejton është të bëhen forca e parë politike, ndërsa verdiktin përfundimtar, siç thekson, do ta japin qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër