Romë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Senati italian miratoi sot një reformë të kontestuar të ligjit zgjedhor, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të opozitës, sipas Reuters.
Kundërshtarët politikë akuzuan kryeministren Giorgia Meloni se po ndryshon rregullat zgjedhore për të rritur shanset e saj për të fituar një mandat të ri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Koalicioni konservator i Melonit, ku bëjnë pjesë Vëllezërit e Italisë, Lidhja dhe Forza Italia, ka propozuar një sistem tërësisht proporcional, i cili do t’i garantonte një shumicë parlamentare çdo aleance që fiton më shumë se 42% të votave.
Reforma duhet të marrë ende miratimin përfundimtar të Dhomës së Deputetëve, dhomës së ulët të parlamentit italian.
Sipas sistemit aktual, shumica e deputetëve dhe senatorëve zgjidhen përmes përfaqësimit proporcional, ndërsa një e treta e tyre zgjidhet në zona elektorale ku fiton kandidati me më shumë vota.
Analistët vlerësojnë se kjo mënyrë mund të favorizojë opozitën e qendrës së majtë.
Reforma synon të heqë sistemin e zonave njëemërore dhe të vendosë një model tërësisht proporcional, të shoqëruar me një bonus mandatesh për aleancën që kalon pragun prej 42% të votave.
Koalicioni qeverisës argumenton se ndryshimi do të garantonte stabilitet politik në një vend të njohur për qeveritë jetëshkurtra. Meloni mori detyrën në vitin 2022 dhe këtë muaj u bë kryeministrja që ka drejtuar qeverinë më jetëgjatë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
