Shasivari: Zero tolerancë ndaj dhunës kundër grave

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Rasti i vajzës 26-vjeçare nga Ohri, e cila u rrah brutalisht, si dhe tragjedia e fundit me vajzën 17-vjeçare që humbi jetën, janë paralajmërime serioze se dhuna ndaj grave kërkon një përgjigje të pakompromis nga institucionet.

Ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, dënon ashpër çdo formë të dhunës ndaj grave, duke theksuar se dhuna nuk ka asnjë justifikim, nuk ka vend për relativizimin e saj dhe nuk mund të ketë tolerancë ndaj përpjekjeve për fshehjen e rasteve apo ndikimin në procedurat ligjore.

Ministri pret që të gjitha institucionet kompetente, secili brenda kompetencave të veta ligjore, të veprojnë me profesionalizëm, në kohë, pa selektivitet dhe me përgjegjësi të plotë. Policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të kryejnë detyrat e tyre pa presione, pa privilegje dhe pa standarde të dyfishta. Çdo lëshim eventual, mosveprim apo ndikim i paligjshëm duhet t’i nënshtrohet verifikimit përkatës dhe përcaktimit të përgjegjësisë.

Shteti ka detyrim ligjor dhe mekanizma juridikë për mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve. Me Kodin e ri Penal forcohet më tej mbrojtja penalo-juridike nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore. Parashikohen dënime me burg për format më të rënda të dhunës, ndërsa për vepra të caktuara penale në kontekstin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore parashikohet ndjekja penale sipas detyrës zyrtare, pa ia bartur viktimës barrën e procedurës.

Megjithatë, ligjet nuk duhet të mbeten vetëm dispozita të shkruara. Ato duhet të zbatohen me përpikëri. Çdo denoncim duhet të trajtohet me seriozitet, çdo rrezik duhet të identifikohet në kohë dhe çdo viktimë duhet të marrë mbrojtjen e duhur.

Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë. Asnjë vajzë nuk duhet të pyesë veten nëse shteti do ta mbrojë. Dhe asnjë autor i dhunës nuk duhet të besojë se mund të mbetet i paprekshëm.

Mbrojtja e viktimave duhet të jetë prioritet, ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë, ndërsa përgjegjësia duhet të jetë rregull dhe jo përjashtim.

Dhuna duhet të ndalet, institucionet duhet të veprojnë dhe përgjegjësia duhet të jetë e pashmangshme!

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër