14
Shkup, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit, Instituti i Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, organizoi konferencën shkencore kushtuar gjendjes së teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut. Në këtë konferencë ishin të pranishëm, studiues, hulumtues dhe akademik nga vendi, Shqipëria dhe Kosova.
“Nga kjo perspektivë ku ndodhemi sot, Manastiri mbetet qendra e kujtesës, hapësira ku kultura shqiptare arriti ta shndërrojë një aspiratë të përbashkët në një akt historik. Konsideroj që jemi me fat që kemi mundësinë të kremtojmë një ditë si kjo, e shumëfish me fat ndjehem që kam rastin të hap unë këtë ngjarje që i dedikohet kongresit të alfabetit dhe t’iu uroj mirëseardhje në konferencën ndërkombëtare shkencore në të cilën sivjet do t’i trajtojmë tekstet shkollore në temën: bosht gjendja e teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut. Kjo temë e ndjeshme e arsimit tonë do të jetë pikëtakimi i dhjetëra mendimeve të vlefshme të studiuesve tanë të pranishëm, të cilët do t’u qasen teksteve shkollore nga shumë pikëpamje me synimin për t’i glorifikuar anët e tyre të mira dhe për t’i vënë në dukje dobësitë e lëshimet që shpërfaqen.”, – u shpreh drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.
“E vlerësoj shumë përcaktimin që dita e alfabetit të këtij viti të na mbledh këtu, duke diskutuar për tekstet shkollore në vendin tonë. Kjo është një temë që e lidh drejtpërdrejt historinë tonë dhe detyrat që i kemi sot. Për një fëmijë libri shkollor është një prej takimeve të para me gjuhën e shkruar, me shkencën, me historinë dhe me mënyrën se si e kupton shoqërinë ku ai jeton. Përmes atij libri, fëmija mëson se si shprehet, si ta ndërtojë një mendim, si ta dallojë faktin nga një opinion dhe si të kërkoj shpjegim për atë që nuk e kupton. Andaj, edhe tekstet në gjuhën shqipe duhet të kalojnë nëpërmjet procesit serioz, hartimi ose përkthimi, redaktimi dhe vlerësimi.”, – u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Bashkërisht mendoj, ju ta bëni punën shkencore, publicistike, letrare. Politika të bëj punën e vet në mbrojtje të interesave, gjithmonë të shqiptarëve. Të urojmë që në periudhën e nëntorit të mendojmë për të gjitha sakrificat e rilindësve tanë dhe të mundohemi që deri diku të arrijmë suksese që ata kanë pasur në kohë shumë më të vështira seç operojmë ne tani dhe bashkërisht do të kemi vetëm ditë pozitive dhe të festojmë.”, – u shpreh ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati.
“Madhështia e Kongresit të Manastirit nuk qëndron vetëm te vendimet që morën, por edhe te guximi i një brezi për të vendosur të ardhmen e kombit mbi interesat dhe dallimet e kohës së vet. Ai brez kuptoi se historia nuk i pret ata që ngurojnë dhe se mundësitë e humbura shpesh shndërrohen në pasoja që i bartin brezat e mëvonshëm. Në vitin 1908 në Manastir shqiptarët vendosën se si do ta shkruajnë gjuhën e tyre. Sot duhet të vendosim se si do ta shkruajmë të ardhmen.”, – u shpreh drejtori i Muzeut të Alfabetit – Manastir, Nuer Asllani.

